Realizmi kozmik: Përbërësi sekret i librave të mëdhenj

Njerëzit mund të jenë të ligj dhe bota është plot tragjedi.

Këto pohime, ndonëse të vërteta, janë gjithashtu të zbrazëta. Ato janë të drejtpërdrejta dhe demonstrative. Të thuash diçka si “njerëzit mund të bien në dashuri” nuk të fiton ndonjë çmim për poezi. Çmimi Booker nuk jepet për deklarata madhështore mbi të vërteta filozofikisht banale.

Romancieri dhe skenaristi amerikan Richard Price ka shkruar dikur: “Sa më e madhe çështja, aq më konciz duhet të shkruash. Mbaje mend këtë. Ti nuk shkruan për tmerrin e luftës. Jo. Ti shkruan për çorapet e djegura të një fëmije në rrugë. Zgjedh pjesën më të vogël të menaxhueshme të diçkaje të madhe dhe punon përmes jehonës që ajo krijon.”

Shkrimi më i mirë është ai ku kuptime të mëdha zbulohen brenda momenteve më të zakonshme. Ai të bën të përqendrohesh në një lule të vogël, në një lëvizje syri, dhe aty, në të papërfillshmen, qëndron i gjithë Universi. Për këtë edicion të “Mini Filozofisë”, autori i intervistës bisedoi me fituesin e Çmimit Booker, Paul Lynch, për këtë ide — një ide që ai e quan “realizëm kozmik.”

Çfarë është realizmi kozmik?

Lynch përdor termin “realizëm kozmik” për të përshkruar ata autorë të jashtëzakonshëm që dinë të shprehin diçka universale nga brenda dramave të një jete të vetme, një qyteti, një epoke. “Nuk është realizëm social,” thotë ai. “Është diçka më e thellë se kaq. Është gjithmonë metaforik. Situata që përshkruhet përfaqëson diçka më të madhe sesa ajo që duket. I gjithë romani është një demonstrim i diçkaje më të madhe. Një metaforë.”

Gjatë bisedës, Lynch përmend një sërë autorësh që ai i konsideron mjeshtër të realizmit kozmik: Herman Melville, Fjodor Dostojevski, William Faulkner, Joseph Conrad dhe Cormac McCarthy. Klasikë që kanë shkruar libra klasikë, të bashkuar në aftësinë për t’i bërë gjërat e vogla të duken të pamata. Ata shkruajnë me “shkallëzim”, duke synuar imazhe që përfshijnë kuptimin e plotë të jetës.

Lynch kujton një skenë nga Typhoon i Conrad-it:

“Ka një moment të jashtëzakonshëm kur anija ndodhet në një stuhi, dhe në errësirën e mbajtur të hambarit, punëtorë kinezë po vrasin njëri-tjetrin për dollarët e tyre prej argjendi. Mbi këtë oqean të pafund, në mes të boshllëkut, ata kacafyten për para. Ja një imazh për gjendjen njerëzore: një kukull ruse e ndërlikuar deri në pafundësi.”

Nuk ka poezi, shkëlqim apo jehonë në të thënët “Njerëzit bëjnë gjëra të tmerrshme për para.” Por realizmi kozmik është pikërisht shikimi se si e pafundmja fshihet brenda të përditshmes. Është metafizik pa qenë mistik, tragjik pa qenë abstrakt. Ai ngul këmbë se ajo që ndodh në një kuzhinë apo në një korridor spitali mund të mbajë të njëjtën peshë me atë që ndodh në një fushëbetejë. Është realizëm në përmasa të kozmosit.

Universi brenda teje

Elif Shafak, një tjetër mjeshtre e realizmit kozmik, ka shkruar dikur:

“I gjithë universi gjendet brenda një njeriu të vetëm, ty. Gjithçka që sheh përreth, përfshirë gjërat që mund të mos i pëlqesh, madje edhe njerëzit që i përçmon apo i urren, janë të pranishëm brenda teje në shkallë të ndryshme.”

Në lotët dhe të qeshurat e jetës sate gjendet pikëllimi dhe gëzimi i njerëzimit. Një nënë që ushqen me gji foshnjën e saj bashkohet me një zinxhir të pafundmë grash përmes historisë evolutive. Një djalosh që ngre një armë nga zemërimi nuk është thjesht një i ri i inatosur; ai është vetë Zoti i Luftës.

Romani i Lynch, Prophet Song, është shembull i përsosur i realizmit kozmik. Ai fokusohet te një nënë me tri fëmijë, Eilish, e cila është aq e zënë duke u kujdesur për ta, sa nuk arrin të vërë re katastrofën që po ndodh jashtë derës së saj. Bota po digjet, por ajo është e përqendruar te lista e blerjeve dhe kujdesi për babanë që po shkon drejt fundit. Te Eilish ne shohim si tragjedinë, ashtu edhe farsën e gjendjes njerëzore. Edhe kur Katër Kalorësit e Apokalipsit hyjnë në qytet, shumica e njerëzve thjesht janë të zënë me mbijetesën e përditshme.

Letërsia si filozofi e mishëruar

Filozofia, për vetë natyrën e saj, është shpesh abstrakte. Ajo distilon idetë në forma që filozofët mund t’i analizojnë dhe kritikojnë. Por letërsia e madhe u jep jetë këtyre ideve. Ajo mishëron idealizmin, nihilizmin, pesimizmin, besimin, të vërtetën, drejtësinë, mizorinë dhe shpresën.

Ndërsa e mbyll këtë tekst dhe kthehesh në jetën tënde të përditshme, ti je një metaforë. Ti je një avatar i një të vërtete universale. Ti je gjithçka në dikë. / Big Think – Syri.net