“Netët Korçare të Poezisë”, poetë nga vende të ndryshme të botës bëhen bashkë duke sjellë magjinë e vargjeve

Korça është rikthyer mbrëmjen e djeshme në vëmendjen e artdashësve, duke çelur edicionin e radhës të “Netëve të Poezisë”, një event që mbledh poetë dhe dashamirës të fjalës artistike nga e gjithë bota.
Në këtë edicion marrin pjesë 34 autorë nga vende si Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria.
Poezitë e tyre sjellin jo vetëm ndjeshmëri dhe mesazhe universale, por edhe ngjyrat kulturore të vendeve përkatëse.

Mbrëmja u hap me një homazh për poetin korçar Skënder Rusi, një emër i njohur dhe i dashur për letërsinë shqipe.
“Korça është poezi dhe emri i poetit Skënder Rusi lidhet drejpërdrejt me atë pasion që ka sjellë ka 29 vjet poetët në qytetin e Korçës, për të qenë pjesë e atij vibrimi të çuditshëm që ky poet ka për të ngacmuar dhe frymëzuar krijuesit dhe për të përcjellë ato emocione që poezia di të përcjellë”, tha djali i Skënder Rusit, Eris Rusi.
Autorët theksuan rëndësinë që kanë këto netë poetike për promovimin e krijimtarisë, si dhe për ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi mes kulturave dhe popujve.
Zërat e poetëve Valbona Lola, Arjan Kallco dhe Stefania Romito sollën emocione të veçanta për publikun.
“Netët Korçare të Poezisë” vazhdojnë të jenë një simbol i gjallë i bashkimit përmes artit dhe një dëshmi se fjala poetike mbetet gjithmonë një urë lidhëse mes poeteve./vizionplus.tv