Një studim i bërë së fundmi arrin në përfundimin se mjekët janë në gjendje të zbulojnë kancerin në gji më shpesh në rastet kur përdorin inteligjencën artificiale për të ndihmuar në leximin e rezultateve të mamogramit. Inteligjenca artificiale po ndihmon në zbulim të kancerit të gjirit, duke e rritur shkallën e zbulimit në mbi 17 për qind. Kur mjekët përdorën inteligjencën artificiale për të analizuar mamogramet e mbi 460,000 grave në Gjermani, ata arritën të zbulojnë një rast më shumë kanceri për çdo një mijë gra, krahasuar me rastet kur analizoheshin vetëm nga mjekët. Mjeku Alexander Katalinic ishte autori kryesor i studimit.
“Shkalla e zbulimit të kancerit të gjirit është më e mirë dhe kjo është një provë shumë e fuqishme. Dhe bazuar në këto prova, ne duhet të fillojmë të përdorim më shumë inteligjencën artificiale në kontrollet për kancerin e gjirit dhe në fund ky duhet të jetë standardi”-thotë ai.Inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë leximin e rezultateve nga mjekët deri në një masë. Por çështja është sa larg duam të shkojmë me këtë zhvillim? Kjo nuk është thjesht çështje shkence, por edhe pyetje për shoqërinë. Sa i beson shoqëria inteligjencës artificiale?
Inteligjenca artificiale gjithashtu ndihmoi në uljen e rezultateve të pasakta. Inteligjenca artificiale megjithatë nuk arriti t’i zbulojë dot disa raste kanceri. Por sipas rezultateve të studimit, dështimi i mjekëve për të zbuluar kancerin e gjirit ishte 10 herë më i lartë se inteligjenca artificiale. Stefan Bunk është bashkëthemeluesi i kompanisë teknologjike për kujdesin shëndetësor “Vara”, me seli në Berlin, që zhvilloi inteligjencën artificiale e cila u përdor në këtë studim.
“Inteligjenca artificiale, përndryshe nga njerëzit, nuk lodhet, apo jo? Dua të them që inteligjenca artificiale punon në të njëjtën formë si në orën 2 të mëngjesit ashtu edhe në mesditë. Prandaj, është gjithsesi një avantazh dhe është gjithashtu edhe një prej arsyeve pse mendoj se ajo arrin të zbulojë rastet e kancerit që mjekët nuk i zbulojnë”-thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “Vara”, Stefan Bunk. Ka shqetësime se përdorimi i inteligjencës artificiale në zbulimin e kancerit mund të sjellë si pasojë zvogëlimin e radiologëve të specializuar.
“Rastet e ndërlikuara, kur duhet të merren parasysh disa këndvështrime, atëherë ku duhet të flasësh me pacientin janë rastet kur nevojitet ekspertiza dhe kur nevojitet radiologu, prandaj ata duhet të vazhdojnë të trajnohen”-thotë ai. “Inteligjenca artificiale është një mundësi dhe një faktor që duhet të na bëjë më entuziastë për fushën tonë. Radiologët e specializuar do të kenë hapësirën, kohën dhe përqendrimin për t’u fokusuar në raste më të ndërlikuara”-thotë Dr. Wei Tang nga Universiteti i Teksasit. “Kombinimi i mjekëve me inteligjencën artificiale është shumë më i mirë se sa vetëm mendimi i mjekut”-thotë Dr.Katalinic.
