Premtimi për pagën minimale, ekspertët: Prek bizneset e formalizuara, ndikon edhe te skema e sigurimeve

Rritja e pagës minimale është një premtim që çdo parti politike e bën pjesë të programit elektoral, në çdo fushatë zgjedhore. Edhe këtë herë, dy partitë kryesore premtojnë se do të rrisnin  me ligj pagën minimale në 500 euro, në janar të vitit 2026.
Aktualisht paga minimale është e pandryshuar në 40 mijë lekë bruto nga viti 2023.
Por pse partitë politike, e kanë pjesë të premtive të përsërituara.

“Ka elementin populist brenda dhe elektoral që çdo parti politike e kërkon ndaj elektoratit. Është njësoj si të flasësh për pensionet dhe rritjen e tyre ku çdo i moshuar është i prirur ta dëgjojë një premtim të tillë”, tha Flobens Dilaveri, ekspert ekonomie.
“Pavarësisht përmirësimit të ekonomisë, pjesa më e madhe e punonjësve deklarohen me pagën minimale apo pranë minimales. Ndaj cilido që dëgjon një premtim të tillë ka tendecë të shkojë e të votojë atë forcë poltike që e premton këtë rritje. Pra lidhet me standardin tonë ekonomik”, tha Etleva Treska, kontabiliste. 
Rritja e pagës me detyrim nga qeveria është një kosto më shumë për biznesin. Për ekspertët pagat rriten bazuar në produktivitet, ndërsa në tregun vendas janë rritur vetëm me ligj. Po kush përfiton më shumë nga një vendimmarrje e tillë?
“Nga ky vendim preken vetëm bizneset formale. Ata informalët nuk afektohen nga një vendim i tillë. Ndaj është i nevojshëm formalizimi i pagave në vend. Jo çdo rritje shkon te punëtori. Kjo kosto e shtuar te biznesi në shumë raste përkthet në rritje të çmimit të produktit final”, tha Dilaveri.
“Vendime të tilla duhet të jenë të bazuara dhe të analizuara dhe jo të papritura në mënyrë që biznesi të jetë i inormuar mbi kostot që e presin.  Një rritje e pagës minimale shoqërohet me rritje të sigurimeve shoqërore, e cila përmirëson dhe skemën e sigurimeve”, sqaroi Treska.
Prej disa vitesh tregu është nën presionin e rritjes së pagave për shkak të mungesës së punëtorëve.
Paralelisht me këtë fenomen evazioni në tregun e punës mbetet ende i lartë, ndërsa aplikimi i taksave mbi punën janë një tjetër element që ndikon negativisht në formalizmin e pagave reale./vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *