Çfarë është ‘psherëtima’ përtej asaj që mendojmë?

Psherëtimat janë si një kolonë zanore e pandalshme e jetës sonë të përditshme, ‘të lehta, të pavetëdijshme dhe shpesh të keqkuptuara’. Nëse deri tani i keni parë si një shprehje të thjeshtë të mërzisë apo lodhjes, shkenca thotë ndryshe, çdo psherëtimë është një mekanizëm jetësor që mban gjallë mushkëritë tona dhe, ndoshta, edhe ekuilibrin tonë emocional.

Sipas një studimi të botuar në revistën prestigjioze Nature në shkurt të vitit 2016, njeriu psherëtin mesatarisht çdo pesë minuta, afërsisht 12 herë në orë. Dhe çuditërisht, pjesa dërrmuese e tyre ndodhin pa vetëdijen tonë.

Nga jashtë, duket si një frymëmarrje më e thellë se zakonisht, një thithje e dyfishtë, e ndjekur nga një nxjerrje e gjatë. Por ajo që ndodh brenda trupit është shumë më komplekse: një proces thelbësor për funksionimin e mushkërive.

Gjatë frymëmarrjes normale, ajri shkon deri në alveola, qeska mikroskopike në fund të bronkiolave ku ndodh shkëmbimi i oksigjenit me gjakun. Me kalimin e kohës, disa nga këto alveola mund të shemben, duke ulur kapacitetin e mushkërive dhe efikasitetin e shkëmbimit të gazrave. Këtu hyn në lojë psherëtima – një hiper-frymëmarrje që rihap këto struktura të bllokuara dhe ndihmon në rivendosjen e funksionit normal të mushkërive.

Shkencëtarët nga universitetet e UCLA-së dhe Stanfordit zbuluan se truri ynë përmban një qark nervor të dedikuar vetëm për psherëtimat. Dy grupe neuronesh punojnë në koordinim: njëri prodhon neuropeptide, sinjale kimike që nxisin psherëtimën, ndërsa tjetri i merr dhe e aktivizon refleksin. Kur ky qark u ‘fik’ gjatë eksperimentimeve tek minjtë, kafshët ndaluan së psherëtimuri, por vazhduan të marrin frymë normalisht. Një provë bindëse se ky mekanizëm është i veçantë dhe i pavarur nga ritmi i zakonshëm i frymëmarrjes.

Por psherëtimat nuk janë vetëm biologjike, ato janë edhe emocionale. Acarimi, lehtësimi, ankthi apo mërzia, të gjitha këto emocione kanë një gjuhë të përbashkët: një frymëmarrje e thellë që del si psherëtimë.

Nuk është ende e qartë nëse psherëtimat emocionale dhe ato biologjike aktivizohen nga i njëjti qark, por studiuesit besojnë se ato veprojnë si një buton ‘reset’. Një moment i shkurtër që trupi dhe truri e përdorin për të rivendosur një ekuilibër të brendshëm, për të ulur tensionin dhe për të qetësuar sistemin nervor.

Herën tjetër që psherëtini, qoftë nga mërzia në një mbledhje, stresi në një situatë të vështirë apo lehtësimi pas një lajmi të mirë, kujtoni këtë: nuk është vetëm një reagim emocional. Është trupi juaj, në mënyrë të heshtur, duke bërë një mirëmbajtje të brendshme për të siguruar që gjithçka vazhdon të funksionojë. Dhe ndoshta, edhe një thirrje e heshtur për të ndalur për një moment dhe për të marrë frymë, me vetëdije. Syri.net-iefimerida