Investimi për modernizimin e industrisë për zhvillimin e parqeve eko-industriale, pritet t’i kushtojnë vendit tonë 600 mijë euro.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore nënshkruan sot marrëveshjen për zhvillimin e kësaj industrie.
Gjatë takimit që u mbajt sot ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se në ish-Kombinat në Tiranë, do të ketë shumë shpejt një studim për të parë mundësinë e rivitalizimit të zonës.
Nga ana e tij, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha se plani i rritjes pritet të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda një 10-vjeçari.
“Në bazë të ritmit dhe thellësisë së reformave, Shqipëria mund të përfitojë nga pothuajse 1 miliardë euro për të ecur përpara me rritjen ekonomike të vendit. Objektiv i BE-së është që të stimulojë investimet dhe klimën e zhvillimit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Këto parqe eko-industriale janë shumë të rëndësishme pasi mbështesin investimet dhe kalimin në praktika më miqësore ndaj mjedisit”, tha Gonzato.
Për menaxherin e këshillimit për shtetet dhe ekonomitë në IFC, Javier Suarez, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi përfaqëson një hap kyç në transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale në Shqipëri.
“Parqet Eco-Industriale janë një nismë që do të kenë mbështetjen e IFC-së dhe natyrisht edhe të BE-së, ku do të ndihmohen ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar efikasitetin e burimeve për uljen e kostove operacionale, do të ndihmohen bizneset për të arritur standardet e BE-së me anë të politikave. Ne do të japim asistencën tonë me këtë partneritet strategjik”, u shpreh Suarez.
Ky partneritet strategjik sinjalizon një hap të rëndësishëm drejt një industrie më të pastër, më efikase dhe më të integruar në tregun evropian.
Shqipëria investon 600 mijë euro për zhvillimin e parqeve eko-industriale
