‘Berisha “dogji” primaret për të futur të vetët’, Minxhozi: Tabaku dhe Alimehmeti në listë për adetin, jo për të fituar

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në një studio televizive, komentoi për mënyrën se si janë ndërtuar listat elektorale dhe ndikimin e tyre në përbërjen aktuale të Parlamentit shqiptar. Sipas tij, emra si Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti nuk janë përfshirë në listën e Partisë Demokratike me synimin për të fituar, por thjesht për të përmbushur një “ritual politik”.
“Ishin vënë jo për të fituar, por për të bërë adetin. Berisha të vetët i kishte në krye të listës. Ishte taktika e Berishës. Një gafë e madhe që fut figura të tjera në parlament dhe lë jashtë këto figura.” – u shpreh Minxhozi.
Ai shtoi se përbërja aktuale e Parlamentit është një pasojë e drejtëpërdrejtë e dominimit të dy liderëve të mëdhenj politikë, Rama dhe Berisha, duke thënë se në njëfarë mënyre, “ka fituar jo vetëm Rama, por në kontekstin dhe pozicionin e tij personal edhe Berisha.”
Minxhozi kritikoi edhe mënyrën sesi janë shmangur primaret për të favorizuar emra pa lidhje reale me bazën politike:“Këtu janë fshirë primaret për të futur në listë persona të tjerë që janë komplet pa lidhje.”
Në përfundim, ai përmendi edhe rolin e Ilir Metës në skenën politike, duke e konsideruar atë një figurë që “hyri në sferën politike në një kohë kur nuk kishte kush të hynte, për të mbushur partitë”, dhe duke rikujtuar periudha të vështira për vendin si momenti kur “në Tiranë na iknin dritat dhe rrinim 48 orë pa drita”.