“Berisha mbajti deputetët që mund t’i përdorë”, Dyrnjaja: Manipuluan zgjedhjet brenda partisë

Analisti Denis Dyrnjaja tha se humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishte e pritshme nga të gjithë. Sipas tij, strategjia e ndjekur nga Berisha kishte në qendër krijimin e një grupi parlamentar me deputetë besnikë, që të mund t’i përdorë më pas si mburojë në përballjen me drejtësinë.
“Dihej që do humbte PD-ja në atë mënyrë që vendosi të paraqesë një skuadër mbrojtëse, jo si skuadër sulmuese. Me kontingjentin që u fut ishte një skuadër mbrojtëse, nëse mund ta quajmë dhe mbrojtëse. Unë faktikisht e quaj si dyqanin e Berishës që mori brenda dyqanit vetëm ata njerëz që kishte nevojë që të merrte dhe për katër vitet e ardhshme i dha nga një mandat që të jenë deputetë në parlament, për interesa krejt personale të Berishës dhe atyre bashkë”, tha Dyrnjaja.
Ai u shpreh se Berisha duhej të testonte në listë të hapur figurat e “vjetra” politike të Partisë Demokratike, të cilat edhe sot kryesojnë kupolën e kësaj force politike.
“Rasti më tipik është paraqitja e zonjës Tabaku dhe zotit Alimehmeti, të cilët ishin njerëz të preferuar të popullit dhe imagjinoni në një moment që të ishte garë me listë të hapur të Partia Demokratike, aty do të dukeshin dhe vlerat. Kjo duhej bërë që të kuptonim vërtet cila është vlera e Flamur Nokës, Edi Palokës, Albana Vokshit, Tritan Shehut dhe të gjithë të tjerëve. Duke qenë në listë të sigurt nuk e dimë cila është pesha specifike e tyre, nuk e dimë sa të votuar janë këta, se nëse janë të votuar duhet t’u themi më fal dhe vazhdoni, duhet t’i inkurajojmë”, u shpreh ai.
“Sali Berisha e di sa vota ka marrë në 2021 se ishte në listë të mbyllur? 3600. Sali Berisha merr 3600 vota. Edhe për fytyrë, për të dhënë një lloj karikimi politik i takonte që të merrte më shumë, edhe pse ishte Lulzim Basha kryetar. Madje ato kanë qenë zgjedhjet më të mira të PD-së, midis humbjeve të saj”, shtoi Dyrnjaja.