Plani për të vrarë Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimet për Leonard Luzin dhe…

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi dënimet me burg për Leonard Luzin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Amarildo Nikolli dhe Muharrem Koroveshi, të akuzuar për përgatitjen e një plani për vrasje me pagesë, që kishte në shënjestër dy individë: Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn. Vendimi i Apelit, i shpallur më 19 maj 2025, konfirmon dënimet e dhëna nga Shkalla e Parë më 10 janar 2025, duke vulosur kështu një prej dosjeve më të rëndësishme të kriminalitetit të organizuar në Vlorë gjatë vitit 2023.
Historia e atentatit të dështuar
Sipas hetimeve të zhvilluara nga SPAK, Leonard Luzi, tashmë i dënuar për disa vepra penale, kishte krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim eliminimin fizik të dy individëve, për shkak të përplasjeve të dyshuara për aktivitetet e paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Luzi nuk veproi i vetëm: për ekzekutimin e atentatit ai kishte rekrutuar Amarildo Nikollin si autorin kryesor, i cili do të kryente fizikisht vrasjet, ndërsa Muharrem Koroveshi dhe një tjetër individ, Erio Zejno, kishin rol ndihmës në sigurinë logjistike – transportin e armëve dhe mbikëqyrjen e objektivave. Megjithatë, atentati nuk u realizua. Më 7 gusht 2023, policia arrestoi në flagrancë Amarildo Nikollin, rreth orës 12:47 në lagjen “Uji i Ftohtë” të qytetit të Vlorës, duke parandaluar vrasjen e dyfishtë. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një armë zjarri e llojit pistoletë me silenciator, e mbushur me 14 fishekë dhe një tjetër i vendosur në folenë e qitjes. Sipas SPAK, Nikolli kishte dalë atë ditë pikërisht për të realizuar planin e vrasjes, të porositur nga Leonard Luzi. Kjo ndërhyrje e menjëhershme e policisë, e bazuar në hetime të avancuara, bëri të mundur arrestimin e tij përpara kryerjes së krimit.
Roli i secilit dhe prova e gjykatës
SPAK e bazoi akuzën mbi një sërë provash materiale të mbledhura gjatë hetimeve. Këto përfshinin: armën me silenciator; pajisje elektronike, si telefonë celularë dhe pajisje DVR; CD me pamje filmike nga kamerat e sigurisë në vende të ndryshme në qytet; të dhëna të ardhura nga kompanitë celulare. Gjykata vlerësoi se grupi kriminal kishte vepruar me strukturë të qartë organizative, me role të ndara, që nga sigurimi i armëve, identifikimi i viktimave, gjetja e vendit të atentatit dhe më pas organizimi i largimit nga vendi i ngjarjes pas krimit.
Dënimet e konfirmuara nga Apeli
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Leonard Luzi u dënua për tre vepra penale: Krijimi i grupit të strukturuar kriminal; Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje në bashkëpunim; Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit. Në total, dënimi i bashkuar ishte 11 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai do të vuajë 7 vite e 4 muaj burg, në një burg të sigurisë së lartë. Edhe dy të pandehurit e tjerë morën dënime: Amarildo Nikolli: Pas bashkimit të veprave penale dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dhe bashkëpunimi me drejtësinë, u dënua përfundimisht me 2 vite e 9 muaj burg. Muharrem Koroveshi: Për të njëjtat vepra penale si Nikolli, u dënua përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burg.