Në zgjedhjet e 11 majit, emigrantët shqiptarë do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në 85 shtete të ndryshme, duke garantuar një pjesëmarrje të gjerë dhe të drejtpërdrejtë të diasporës në procesin zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar një skemë të detajuar për shpërndarjen e votave, e cila përfshin një fond prej 10 milionë eurosh, i cili do të përdoret për transportin e 245,808 zarfe votimi. Për këtë proces ka pasur një procedurë të hapur konkurrimi, ku vetëm dy kompani shfaqën interes, dhe njëra prej tyre është zgjedhur për të realizuar transportin. Vota do të dërgohet përmes një kompanie private të huaj, e cila do të sigurojë dorëzimin e zarfeve në çdo shtet të regjistruar.
Ndërkohë shqiptarët që jetojnë jashtë do ta marrin fletën e votimit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të personalizuar, pasi postieri do të kërkojë të dorëzojë zarfin në adresën e regjistruar, duke verifikuar identitetin e votuesit. Por nëse nuk do të mund të gjendet në adresën e tij, procesi do të përsëritet deri në tri herë. Ndërkaq për çdo votë transportimi ka një kosto mesatare prej 40 eurosh. Greqia dhe Italia kanë numrin më të lartë të emigrantëve të regjistruar për të votuar, dhe pas tyre janë edhe shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarët. Pra ky plan i detajuar dhe investimi i konsiderueshëm do të mundësojnë që diaspora të marrë pjesë aktive dhe pa pengesa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Detajet
Konkretisht vota e emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të shpërndahet në 85 shtete të botës ku ata jetojnë dhe punojnë, sipas grafikut të paracaktuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të gjithë aplikantët (kërkuesit) e aprovuar. Gjithashtu është caktuar edhe kompania private e huaj që do e bëjë këtë transport. Kjo pritet të miratohet edhe në Komisionin Qendror të zgjedhjeve për transportin e votës, teksa është llogaritur fondi me 10 mln euro për 245808 zarfe.
Mësohet se mesatarisht llogaritet 40 euro për një votë. Gjatë fazës së testimit paraprak, edhe pse u ftuan 5 kompani, vetëm 2 shfaqën interes. Procedura është publikuar ditën e shtunë, datë 22 mars. Numrin e emigrantëve shqiptarë të regjistruar e kryesojnë Greqia dhe Italia, të ndjekura nga shtetet e tjera. Shqiptarët në diasporë nuk do ta gjejnë fletën e votimit në kutinë postare ku zakonisht merr letra në shtetin ku jeton. KQZ ka vendosur që korrieri të gjejë personalisht votuesin, i cili duhet t’i tregojë një mjet identifikimi. Postieri do ta provojë deri në 3 herë ta gjejë zgjedhësin në adresën që ka deklaruar në KQZ.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se të gjithë votuesit shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe janë regjistruar për të votuar me postë, duhet të kujdesen që gjatë muajit prill të jenë në shtëpi. Kjo pasi, zarfi zgjedhor nuk do të lihet në kutitë postare ku zakonisht qytetarët e huaj marrin fatura po dokumente të tjera.
Kjo pako do të duhet të dorëzohet personalisht tek votuesi, dhe jo tek ndonjë familjar tjetër apo i njohur i tij. Për ta bërë këtë, korrieri do të trokasë në adresën që emigranti ka deklaruar në KQZ. Nëse nuk e gjen herën e parë, do të vijë në një orar tjetër, ditë tjetër për herë të dytë, dhe së fundmi për një herë të tretë. Nëse asnjëherë nuk e gjen personalisht votuesin, zarfi i tij do të kthehet në Shqipëri. Në momentin kur korrieri e gjen zgjedhësin në adresën e deklaruar, do t’i kërkojë një mjet identifikimi, dhe pasi të sigurohet që është ai, do t’i dorëzojë zarfin zgjedhor në këmbim të firmës. Për mënyrën se si duhet të plotësojnë korrekt fletën e votimit dhe si do ta dërgojnë mbrapsht atë do të sqarohen nëpërmjet udhëzuesit që do t’ju shkojë bashkë me zarfin me fletën e votimit.
Posta e kthimit për në KQZ është e paguar. Zarfin i kthimit mbrapsht do t’ju shkojë gjithashtu bashkë me zarfin me fletën e votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar për paketimin dhe shpërndarjen e dokumentacionit zgjedhor që do dërgohet në adresën e deklaruar nga votuesit nga diaspora në PER. Data kur do të nisë shpërndarja të zarfeve me dokumentacionin zgjedhor pritet të jetë në 8 prill. Procesi i dërgimit, po më pas grumbullimi dhe numërimi i votës së diasporës, do të bëhet në Parkun Olimpik, Feti Borova. KQZ i kërkoi policisë që nga 1 prilli deri më 20 maj, ky ambient të ruhet me forca sigurie për këtë qëllim.
Zgjedhjet e 11 Majit, votat e diasporës do të transportohen në 85 shtete, qeveria cakton kompaninë për…
