Sexteti Ballkanik “Pro Arte” performon për herë të parë në Tiranë, vepra klasike dhe krijime bashkëkohore të autorëve

Nga Julia Vrapi
Vepra klasike dhe krijime bashkëkohore të autorëve ballkanikë vijnë këtë mbrëmje marsi. Sexteti Ballkanik “Pro Arte” performon këtë mbrëmje për herë të parë në Tiranë pranë sallës së madhe të Universitetit të Arteve. Një ansambël unik artistësh, që është formuar në vitin 2013, të cilët ndajnë një pasion të përbashkët për muzikën e dhomës dhe bashkëpunimin kulturor në rajonin e Ballkanit. Sexteti Ballkanik “Pro Arte” përbëhet nga artistë të shquar nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe programi muzikor këtë mbrëmje përfshin vepra nga kompozitorët Ludvig  Thuille, Kreshnik Aliçkaj, Endri Sina dhe Arthur Benjamin. Pjesë e këtij ansambli është dhe artisti i mirënjohur Ilir Kodhima, që thotë se programi muzikor që vjen këtë mbrëmje në koncert është enkas për Sexteti Ballkanik “Pro Arte”.
“Dy prej veprave muzikore janë dedikim enkas i këtij ansambli nga kompozitorët Endri Sina dhe Kreshnik Aliçaj. Ndërsa dy veprat e tjera janë të një niveli profesional të lartë dhe pjesë të njohura të repertorit klasik botëror të kompozuara enkas për ansamble të këtij formati me tingëllim unik”, thotë ai. Ilir Kodhima tregon ndër të tjera se ky ansambël që është krijuar para disa vitesh dhe këtë herë vjen edhe në Tiranë, më parë koncertet  e tij janë zhvilluar edhe në Prishtinë në Kosovë apo dhe në Shkup në Maqedoninë e Veriut.
Përbërja e ansamblit të artistëve
Sexteti Ballkanik “Pro Arte” që vjen këtë mbrëmje me koncert përbëhet nga artistët Lejla Haxhiu Pula- piano; Enkelejda Zajmi Gorani- flaut, Marina Nikolovska – oboe, Astrit Mustafa – klarinetë, Orges Malaj – Fagot dhe  Ilir Kodhima- korno. Siç lajmërohej me herët për koncertin në sallën e madhe të Universitetit të Arteve ai do të ofrojë një përvojë muzikore të pasur dhe të larmishme, duke sjellë vepra klasike, gjithashtu edhe krijime bashkëkohore të kompozitorëve ballkanikë. Sexteti Ballkanik “Pro Arte” që nga krijimi i tij gjatë viteve ka performuar në skena të rëndësishme, duke fituar vlerësime për cilësinë artistike dhe përkushtimin ndaj promovimit të veprave klasike dhe bashkëkohore.
Ansambli me këtë koncert mbrëmjen e së hënës nderon gjithashtu kujtimin e profesorit dhe fagotistit Fatos Jaho, i cili ishte pjesë e formacionit të parë të sextetit. “Kontributi dhe arti i tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, dhe ansambli vazhdon ta çmojë kontributin e tij dhe të ruajë kujtimin për artin që ai dhuroi”, thuhet në materialin e ansamblit. Koncerti këtë mbrëmje për publikun organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Universitetin e Arteve, Tiranë, ku mbështetja vjen dhe nga donatorë të tjerë. Koncertet muzikore po sjellin për publikun jo vetëm vepra të autorëve shqiptarë, por dhe të atyre të huaj, duke u bëre një pjesë me rëndësi e jetës artistike në kryeqytet këtë sezon pranvere.