Shqetësimet gastrointestinale kanë pësuar një rritje gjatë vitit 2025, ku sipas mjekëve specialistë, prania e salmonelës në ushqime ka qenë një nga faktorët kryesorë.
“Shqetësimet gastrointestinale janë të shpeshta dhe pothuajse gjatë çdo muaji të vitit. Mund të ketë pasur një farë roli edhe kontaminimi i produkteve ushqimore me salmonelë, sepse ato janë shpesh infeksione pa u vënë re, duke dhënë disa shqetësime gastrointestinale për të paktën 4 ditë”, tha Hysni Dede, Mjek gastrohepatolog.
Po ashtu, mjekët thonë se konsumimi i ushqimeve të konservuara apo fast-food luan një rol të rëndësishëm në shfaqjen e këtyre shqetësimeve.
“Shqetësimet më të shpeshta përfshijnë që nga dhimbjet e stomakut, të vjellat, të përzierat apo shfaqja e diarresë. Ushqimet, kryesisht të fast-food, apo pikante, apo ushqimet jo të konservuara, etj., patjetër kanë një rol të rëndësishëm në shfaqjen e këtyre shqetësimeve, sidomos tek ata pacientë të cilët e kanë një problematikë sado fillestare.”
Bluzat e bardha këshillojnë për më shumë kujdes me dietën ushqimore, higjienë të shtuar, si dhe reduktimin e përdorimit të antibiotikëve pa recetën e mjekut.
“Do t’u bëja thirrje të kenë kujdes me dietën ushqimore, higjienën, të mos përdorin mjekime pa kriter, antibiotikë pa kriter, pasi një përdorim i tillë mund të sjellë në prishje të normales së zorrës. Marrja e medikamenteve që në zhargon i thonë ‘qetësues stomaku’ frenojnë aciditetin e stomakut, i cili është një mbrojtës normal i organizmit.”
Diagnostikimi i hershëm ndihmon në parandalimin e shqetësimeve gastrointestinale, të cilat mund të çojnë në komplikacione serioze nëse nuk trajtohen.
/vizionplus.tv
