Kur ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e afatit zyrtar të deklarimit të të ardhurave, mijëra shqiptarë ende nuk e kanë plotësuar formularin.
Sipas të dhënave nga tatimet pritshmëritë janë që 140 mijë individë duhet të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave. Por deri më tani rreth 50% e tyre e kanë zbatuar këtë detyrim ligjor.
“Ne kemi evidentuar si individë që kanë të ardhura vjetore sipas kufirit të përcaktuar së bashku me ata që janë të dypunësuar rreth 140 mijë të punësuar. Deri më tani kanë dorëzuar formularin rreth 80 mijë individë. Jemi brenda afatit dhe cilido që ka paqartësi mund të informohet në faqen zyrtare të tatimeve”, deklaroi Rozana Çelmeta nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve.
Administrata tatimore thotë se në faqen zyrtare të institucionit gjendet informacioni i nevojshëm për cilindo që nuk ka njohuritë e duhura, lidhur me atë që njihet si DIVA. Por çfarë ndodh në përfundim të afatit zyrtar që është 31 Marsi, për të gjithë ata që nuk e kanë plotësuar formularin?
“Ndryshe nga vitet e kaluara që ka qenë fundi i Prillit, këtë vit afati i dorëzimit të formularit është 31 Marsi. Për të gjithë ata që do e dorëzojnë këtë formular pas këtij afati, sistemi gjeneron automatikisht një penalitet prej 3 mijë lekësh. Ndërsa për ata që janë të dypunësuar dhe kanë detyrim për të paguar, shoqërohet me kamatëvonesa”, sqaron Çelmeta.
Por cilido që ka plotësuar gabim deklaratën, ka një mundësi të dytë për korrigjim.
“Cilido që mendon se i ka plotësuar gabim të dhënat në deklaratë, ka mundësinë që dy herë brenda tre muajve nga fundi i afatit të mund ta korrigjojë. Më pas korrigjimi do të bëhet pranë drejtorisë rajonale ku individi është i regjistruar”, tha Çelmeta.
Subjekt i deklarimit të të ardhurave janë të gjithë ata që kanë të ardhura bruto 1.2 milion lekë në vit dhe ata që janë të dypunësuar. Këtë vit detyrim kanë dhe ata që kanë të ardhura bruto mbi 50 mijë lekë të patatueshme, ku përfshihen të ardhurat nga qira ditore, Air Bnb apo booking./vizionplus.tv

Leave a Reply