Brukseli asnjë shpresë për anëtarësim Edi Ramës, Antonio Costa i jep datë Malit të Zi, Shqipëria bllok për reformat…

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka refuzuar ditën e djeshme të japë një datë të mundshme për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndryshe nga çfarë bëri në Podgoricë, ku vendosi 2028 si afatin përfundimtar për mbylljen e negociatave me Malin e Zi. I pyetur nga gazetarët në Tiranë për një afat të mundshëm për vendin tonë, Costa tha se po jetojmë një momentum, ku Ballkani Perëndimor është më pranë BE-së, se kurrë më parë dhe mundësia duhet shfrytëzuar.  “Ne po jetojmë momente tepër të veçanta në botë sot dhe në këto momente të veçanta ne më shumë se kurrë kemi nevojë të përshpejtojmë bashkimin e Europës dhe gjithë forcën e fuqinë e saj.
Dhe kjo na sjell në këtë momentum për zgjerimin, sigurisht edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë nëse ata dëshirojnë. Por edhe për Ballkanin Perëndimor, që na ka treguar edhe më parë që do të bëhet pjesë e BE. Këtu s’ka garë apo konkurrencë. Dëshira ime është që të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara me negociatat e anëtarësimit, të përmbushin reforma. Kjo ka të bëjë me ndryshimin që ka për të sjellë, do të ndryshojë edhe mendësinë. Kjo nuk është e lehtë. Kjo është rruga e duhur për të ecur përpara. Këtë javë shkova në Serbi, Kosovë, Bosnjë Hercegovinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe tani ja ku jam në Shqipëri. Pavarësisht vështirësive dhe problemeve të gjitha vendet e BP kanë një objektiv dhe dëshirë të përbashkët që të bëhen pjesë e BE, të ecin përpara dhe të hapi një kapitull të ri.
Unë ju them të gjitha këtyre vendeve: ‘Mund të keni besim te BE!’ Besoni tek ne. Ne kemi një vullnet të qartë politik në KiE. Kemi angazhim të qartë nga KE se ky është momenti i duhet për të arritur rezultate dhe duhet ta përdorim këtë çast. Ajo që ka ndodhur në këto vende gjatë dy viteve të fundit, por edhe në BE ka ndryshuar komplet mendësia dhe qasja. Kjo gjë është e mundur”, deklaroi Costa. Kjo tregon se premtimet e Ramës se brenda 2030-ës do anëtarësohemi në BE duket se janë vetëm iluzione, pasi Antonio Costa shprehet se kjo nuk është e lehtë dhe duhet ende punë.
Shqipëria bllok për reformat, zgjedhjet regres për “viston” në BE
Kujtojmë se Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë një sërë kushtesh për integrimin, disa prej të cilave lidhen me parime bazë demokratike, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, por edhe disa kushte, të cilat janë më të vështira për t’u realizuar sepse kërkojnë investime të mëdha financiare dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne, si ndalimi i derdhjes së ujërave të zeza në lumenj apo përmirësimi i transportit publik, që kërkojnë kohë dhe burime që aktualisht nuk janë të disponueshme. Një pjesë tjetër e kushteve të BE-së lidhen me reformimin e administratës publike, që kërkon të krijohet një shërbim civil profesional dhe jopartiak, i bazuar në meritë, që shpërblehet dhe mban përgjegjësi për punën e tij.
Por ky kriter bie në kundërshtim me interesat politike, sepse kërkon që qeveria, dhe veçanërisht kryeministri, të heqin dorë nga kontrolli mbi emërimet në administratë, pasi siç u pa ishte kjo administratë që i dha Edi Ramës mandatin e katërt. Madje këtë situatë alarmante dhe skandaloze e evidentoi dhe OSBE në raportin e fundit për zgjedhjet e 11 majit, ku u theksua se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës, ndërsa dy partitë kryesore dominuan mbulimin mediatik. Gjithashtu rasti më i freskët i dështimit për të përmbushur standardet e BE-së ndodhi së fundmi, kur parlamenti humbi mundësinë për të krijuar për herë të parë një bord të pavarur të RTSH-së, dhe në vend të kësaj, emëroi sërish figura politike, përfshirë këshilltarë partiakë dhe persona të lidhur personalisht me krerët e qeverisë, siç është rasti i Eni Vasilit, mikeshë e bashkëshortes së kryeministrit.
Për më tepër, edhe kërkesa e përsëritur prej vitesh për të hequr shpifjen dhe fyerjen nga Kodi Penal nuk është plotësuar, edhe pse ky ndryshim nuk kërkon as fonde, as kohë, as negociata, mjafton vullnet politik. Mungesa e veprimit në këtë drejtim tregon qartë se integrimi europian është shpesh vetëm një retorikë politike dhe jo një prioritet real.