Si janë bërë monopol i krerëve të doganave mallrat që vijnë nga Turqia dhe Kina në pikat doganore të jugut, roli i…

Gazeta “SOT” ka raportuar prej kohësh mbi problemet që hasin bizneset shqiptare me importet e mallrave, kryesisht tekstile që vijnë nga Turqia, për shkak të pengesave dhe bllokimeve të padrejta në pikat doganore të jugut të vendit. Megjithatë, denoncimet e fundit që kanë ardhur në redaksinë tonë kanë zbuluar se fenomeni i korrupsionit dhe trajtimit të pabarabartë të bizneseve nuk kufizohet vetëm në mallrat turke, por ka përfshirë gjerësisht edhe importet nga Kina, duke e shtrirë problematikën në një nivel edhe më të gjerë dhe më të rrezikshëm për konkurrencën në treg. Të dhënat e siguruara nga burime të besueshme dhe verifikuara përmes investigimit tonë tregojnë se një skemë e mirëorganizuar po funksionon në pikat doganore të jugut, ku të përfshirë janë dhe politikanë të lartë, të cilët po përdorin pozitat e tyre për të favorizuar disa kompani të lidhura ngushtë me ta, duke bllokuar apo vështirësuar proceset për operatorët e tjerë tregtarë.
Roli Klodian Çanit dhe Fatjon Shehut
Në qendër të kësaj skeme përmenden dy figura kyçe: Klodian Çani, drejtues aktual në Drejtorinë e Informacionit në dogana, dhe Fatjon Shehu, drejtor i Anti-Kontrabandës. Të dy këta funksionarë po hetohen dhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Sipas burimeve të gazetës “SOT”, dyshohet se hetimet po shqyrtojnë veprimtari që lidhen me favorizime, manipulim të dokumentacionit dhe shmangie të kontrolleve për mallrat kontrabandë përmes një strukture që dyshohet se operon brenda vetë sistemit doganor.
Një element kyç i kësaj skeme, sipas të dhënave që disponojmë të cilat do t’i publikojmë më në detaje në artikullin tjetër, është një agjenci me seli në Greqi, e cila besohet të ketë lidhje me një prej zyrtarëve në hetim. Aty bëhen aferat dhe zullumet me dokumentet false dhe skema se si kalojnë mallrat në mënyrë të paligjshme. Nga informacionet që kemi siguruar, SPAK ka thirrur për dëshmi jo vetëm zyrtarët e përmendur, por edhe vartës të tyre, ndërsa dosja hetimore pritet të thellohet edhe më tej në javët në vijim. Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se skema e trajtimit preferencial dhe e bllokimeve selektive të subjekteve ka funksionuar për një periudhë të gjatë, me ndikim të drejtpërdrejtë në konkurrencën e ndershme të tregut dhe të ardhurat e shtetit nga taksat doganore.
Denoncimet nga bizneset
Nga denoncimet që vijnë në gazetën “SOT” pas publikimeve të mëparshme, del në pah një shqetësim i vazhdueshëm nga ana e bizneseve shqiptare për mungesën e barazisë në trajtimin e tyre nga autoritetet doganore. Ata shprehen se janë të detyruar të përballen me pengesa të shumta administrative dhe ekonomike, ndërsa një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë, të lidhur me funksionarë shtetërorë, përfitojnë qasje të privilegjuar në treg. Megjithëse nuk është hera e parë që dyshime të tilla bëhen publike, deri më tani nuk janë marrë masa konkrete për t’i dhënë fund kësaj situate. Vetëm hetimet e nisura së fundmi nga SPAK përbëjnë një hap drejt zbardhjes së mekanizmave të mundshëm të korrupsionit në sistemin doganor shqiptar. Nëse këto hetime vërtetojnë akuzat, do të konfirmohet një skemë që jo vetëm dëmton të ardhurat shtetërore dhe konkurrencën e ndershme, por edhe minon besimin e qytetarëve dhe bizneseve në institucionet publike. Në fund, barrën e kësaj situate e paguan konsumatori i zakonshëm dhe biznesi i ndershëm, që përpiqet të funksionojë në një treg të manipuluar nga interesa private me ndikim të drejtpërdrejtë në politikë dhe administratë.