Nga Julia Vrapi
Shfaqja “Zullulandia” mbështetur mbi motivet e Faik Konicës do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Dramatizuar dhe përshtatur nga Endri Çela vepra “Zullulandia” ka për subjekt një ngjarje krejt të veçantë, e dhënë në plan satirik. Ngjarjet dhe personazhet flasin për Afrikën, por duket qartë që, për nga problemet dhe shqetësimet që trajton, ka për paralelizëm Shqipërinë. Pjesa teatrore që do të jetë këtë muaj në skenë flet për zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës dhe të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që, për të fituar lirinë, dërgojnë përfaqësuesin e tyre, ambasadorin Denizullu-Serpen në Paris. Mirëpo, injoranca e këtij i bën kancelarët e Parisit dhe të Londrës që të tallen me të. Kur ky kthehet në atdhe, populli i paditur dhe fodull e pret me nderime.
Mirëpo mes kësaj injorance, ekziston edhe një i ditur, Plugu, cili është i vetmi që e ka kuptuar talljen dhe u tregon realitetin; se të huajt po tallen me popullin zullu. Ai u këshillon që të mos presin më prej të huajve, por të bëhen vetë të zotët e vetes. Mirëpo, këto fjalë jo vetëm që nuk kuptohen nga turma, por shkaktojnë edhe revoltë. Ata e fyejnë, e kërcënojnë dhe janë gati ta ndëshkojnë. Atëherë Plugu kupton se fajin e paska patur vet, se nuk plugohet dot një shkëmb. Prandaj braktis atdheun, duke marrë rrugën e mërgimit. Skenografia nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreografe Semela Skënderasi, kompozitor Petrit Jakupi, video Marjo Cani. Në rolet e shfaqjes interpretojnë aktorët Sokola Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 ai vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.
Premiera në skenë
Premiera teatrore, që është prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë është në vijim dhe të shfaqjeve të tjera që kanë ardhur më parë në skenë për publikun. Sipas kalendarit artistik të bërë me dije më parë, premiera teatrore “Zullulandia” do të jetë në skenë në datat 21 22, 23, 24 dhe 25 maj. Ndërsa pas disa ditësh në skenën e këtij teatri do të jetë kjo premierë, programi artistik po vijon me shfaqje teatrore për të rritur, por edhe për fëmijë. Në vijim të kalendarit artistik, mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit me regji dhe dramatizim nga Stefan Çapaliku në skenë erdhi shfaqje teatrore “Vrasje në vjeshtë”. Pas kësaj shfaqje në skenë pritet të vijë një tjetër produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shfaqja “Koncerti”.
“Zullulandia” në teatër, ngjarjet flasin për Afrikën, por për problemet që trajton ka për paralelizëm Shqipërinë
