Pse humbi PD dhe a duhet të mbajë përgjegjësi Sali Berisha për disfatën, Evi Kokalari zbërthen skemën dhe tregon…

Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka shpërthyer me akuza të drejtpërdrejta ndaj Sali Berishës, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare. Sipas saj, nuk janë manipulimet e Edi Ramës që rrëzuan PD-në, por mungesa e vizionit dhe dështimi i Berishës për të ofruar një alternativë të besueshme demokratike. Ajo ironizon edhe përfshirjen e strategut amerikan LaCivita, duke theksuar se as ai nuk mundi ta shpëtonte Berishën nga një humbje e pashmangshme. Në një tjetër reagim, Kokalari sulmon ashpër analistin Çim Peka, duke e akuzuar për mbrojtje të hapur të korrupsionit dhe propagandë kundër SPAK. Ajo e cilëson “Syri.net” si zëdhënës të një politike të kalbur dhe dezinformuese, që mbron interesat e një elite të vjetër. Me tone të forta, Kokalari mbështet SPAK-un si e vetmja shpresë për drejtësi dhe pastrim të skenës politike shqiptare.
Kokalari ironizon Berishën: As LaCivita nuk të shpëtoi dot
Konkretisht aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka akuzuar dje drejtpërdrejt kreun e PD Sali Berisha, për humbjen në zgjedhjet parlamentare. Përmes një reagimi në “Facebook”, Kokalari shkruan se faji për humbjen e PD-së nuk është tek manipulimet e Edi Ramës. Ajo shprehet se Berisha humbi sepse nuk i ofroi asgjë demokracisë së vendit ndërsa shton se as LaCivita nuk mundi dot ta shpëtonte. “Masakër elektorale! Sali Berisha nuk humbe se të vodhi vota Rama. Humbe se vodhe ti demokratët nga meritokracia dhe turp që re 13% nga zgjedhjet e 2021!! Të thamë s’ka LaCivita që të shpëton por vazhdo bjeri murit me kokë, se ke marrë një popull në qafë. Gjithsesi, sa të vlen lëkura, e pamë me këtë humbje fatale të demokracisë shterpë që ofron. Prapë nuk e kupton, në 2021 nuk ishe ti shpresa. Isha unë”, shkruan Kokalari.
Kokalari shpërthen ndaj Çim Pekës: ‘Strategu i Hasit’ na e ka shpifur
Ndërkohë në një reagim të dytë në rrjetet sociale, dje aktivistja Evi Kokalari ka reaguar me tone të ashpra ndaj analistit Çim Peka, duke e akuzuar për hipokrizi dhe propagandë kundër drejtësisë. Ajo kritikon qëndrimet e tij ndaj SPAK, duke ironizuar faktin që i mbron politikanët e korruptuar, ndërsa organi i akuzës ka goditur emra të rëndësishëm të mazhorancës. Sipas saj, Syri.net është kthyer në një stacion dezinformimi që mbron të njëjtët që kanë shitur zgjedhjet dhe kanë negociuar me pushtetin. Kokalari mbron SPAK-un si institucionin më të rëndësishëm që ka lindur nga tranzicioni dhe thotë se drejtësia është më e fortë se propaganda. “Çim mençuria thotë se fajin e ka SPAK dhe se ajo u krijua që Rama të fitojë mandatin e katërt. Ndërkohë në paraburgim janë Veliaj, Meta dhe në kërkim  është Arben Ahmetaj, të gjithë socialist.
Strategu Hasit realisht ka nevojë të jap dorëheqjen nga Syri dhe të zhduket nga skena se realisht na e keni shpifur me katunarizmat si në pamje ashtu dhe në logjikë. Për të mos thënë që ky vet ka negociuar Kullën e Malit me Veliajn dhe ishte pjesë e shitjes së zgjedhjeve të 2023. Sa të pafytyrë që jeni!! Shqiptarët s’janë budallenj dhe SPAK është e vetmja gjë pozitive që i ka ndodhur politikës Shqiptare këto 33 vite dhe së shpejti bën mirë ti hedh sytë dhe nga stacioni i propagandës dhe disinformimit të Shqiptarëve që është Syri”, nënvizoi dje aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari.