Berisha nëse humb zgjedhjet s’ka më vend si kryetar i PD,si statuti i partisë e detyron të largohet,ish-kryeministri…

Elmas Bogdani
Statuti i Partisë Demokratike parashikon se në rast humbjeje në zgjedhje, Sali Berisha nuk mund të qëndrojë më në postin e kryetarit të partisë. Sipas Nenit 46, pika 8 të Statutit, “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.” Megjithatë, Sali Berisha ka një tjetër qëndrim. Sinjalet deri më tani janë se ai nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i PD-së, për sa kohë është gjallë. Berisha ka theksuar se nuk do të dorëzohet kurrë, pavarësisht humbjes, moshës, apo edhe kritikat nga brenda partisë. Për të, humbja dhe mosha janë thjesht fjalë pa kuptim, që nuk i ndalojnë as ambiciet, as qëllimet.
Berisha nis kontestimet
Këtë fakt e përforcon dhe qëndrimi që mbajti dje Berisha. Ai nisi menjëherë kontestimet për rezultatin e zgjedhjeve. Afro 2 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, kreu i PD doli në një konferencë për mediat, ku nuk foli për fitore, por për rritje të PD në bastionet e saj. Më pas ai akuzoi PS se ka pajtuar bandat për tjetërsimin e votave. Berisha u shpreh se sovrani ka folur qartë përmes votës në mbështetje të Partisë Demokratike ndërsa nuk la pa komentuar të dhënat e para të një exit-polli nga Albanian Post që tregonte se PS kryeson me 79 mandate ndërsa PD me 54 mandate. Sali Berisha u shpreh se Baton Haxhiu është një gënjeshtar i gatshëm i Edi Ramës, pasi sipas kryedemokratit, Haxhiu në faqen e tij ka konvertuar në poll memorandumin e Kuçit, referuar llogarive të Edi Ramës në Vlorë për mandatet që mund të marrë Partia Socialiste. Deklarata e Berishës është e ngjashme me prononcimet e tij të mëhershme kur ndjen humbjen.
Berisha gjithmonë ka përsëritur se sovrani foli, por rezultatet finale ende nuk kanë dalë. Lumë akuzash ndaj kundërshtarëve dhe pretendime për kërcënime janë tashmë një gjuhë e njohur e Sali Berishës. “Priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duar të komisionerëve në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës por ata janë më aktivë. Janë denoncuar qoftë nga mediat, qoftë nga PD-ja. Në zonat e tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve. Porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion.
Garantoj të gjitha bandat se qeveria e aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato banda terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë kuptoj që ata janë në përpëlitjet e fundit dhe besojnë se mund të ndikojnë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë, populli ka folur në mënyrë vendimtare. Lidhur me një exit poll të pretenduar nga gënjeshtari i gatshëm Baton Stanishiqi, gënjeshtar i gatshëm që s’bëri asgjë tjetër veçse pa bërë asnjë exit poll, konvertoi në poll memorandumin e Kuçit. I them Edi Ramës se me pilula të tilla do mbetesh shumë shpejt për një kohë të gjatë pa gjumë. Janë realisht orët e fundit të tij në pushtet. Mos përdor gënjeshtarë të gatshëm papagaj të cilët janë të aftë të deklarojnë çdo gjë kundrejt pagesave”, tha Berisha.
Denoncimi
Berisha denoncoi dhe një tjetër zyrë të padeklaruar të socialistëve. Pas asaj të zbuluar më herët nga Belind Këlliçi në afërsi të shkollës “Petro Nini”, kryedemokrati u shpreh se mbështetësit e tij kanë konstatuar një tjetër zyrë të pashtronazhistëve, kjo e fundit me lokacion në Astir. “Plotësisht ju e patë po zbulohen zyrat ilegale të partisë socialiste, çerdhe krimi elektoral, krahas asaj që u kap në flagrancë deputeti Braçe me një grup, tani është një tjetër zyrë e tillë ilegale Astir dhe ajo po procedohet sipas ligjit. Ka një qëndrim të vendosur të të të gjithë strukturave tona për të denoncuar për të zbuluar, të gjitha përpjekjet e dështuara të Edi Ramës në këtë proces të humbur për të”, tha Berisha, ndërkohë që më tej u shpreh se: “Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të aleancës sonë. Të gjithë treguesit, them edhe rritja e ndjeshme e përqindjes së votimeve në zona tona është i bardhë për rezultati ne aleancës tonë”, tha ish-kryeministri, teksa më tej i pyetur për mandatet refuzoi që të japë shifra. “Unë kurrë nuk flas për përqindje për numra pa dalë ato. Nuk kam unë ndonjëherë dëshirë për të bërë rolin e profetit”, tha Berisha.