‘Patronazhistët u njoftuan se dola i veshur Kuq e Zi’, Meta voton nga qelia: Nuk u lejuan mediat

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka votuar sot nga qelia, duke e cilësuar 11 majin si një “ditë historike për të gjithë shqiptarët dhe për Shqipërinë”. Në një deklaratë publike, Meta tha se kishte rënë dakord me administratën e burgut që të votonte në orën 10:00, me praninë e mediave, por kjo nuk u lejua.
Ai akuzoi se gazetarët u penguan të hynin në qendrën e votimit pasi “patronazhistët” kishin njoftuar se ai kishte dalë nga qelia i veshur kuq e zi.
“Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi, por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës…”, tha ai.
Meta u bëri thirrje shqiptarëve të dalin masivisht në votime, duke e quajtur këtë ditë si përballje mes “status quo-së dhe ndryshimit”.
“Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton! Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë!”, përfundoi Meta.