“Non-grata” nuk është hequr, Kreshnik Spahiu zbardh të vërtetën, ja pse Berisha nuk udhëton dot në SHBA dhe kush…

Rigels Seliman
Situata politike në Shqipëri vazhdon të dominohet nga figura të vjetra që refuzojnë të largohen nga skena, pavarësisht barrierave ligjore apo morale. Rasti i Sali Berishës, i shpallur “non grata” nga SHBA, është një shembull i qartë i krizës së përfaqësimit dhe mungesës së transparencës. Pavarësisht propagandës për një mundësi udhëtimi në Amerikë, statusi i tij mbetet i pandryshuar dhe ai nuk gëzon asnjë të drejtë për të hyrë në SHBA. Juristi Kreshnik Spahiu thekson se kjo është një përpjekje për të mashtruar elektoratin dhe për të mbuluar realitetin politik. Ai paralajmëron gjithashtu se rikthimi i skenarit Rama-Berisha në zgjedhjet e 11 majit rrezikon të mbajë peng demokracinë dhe të prodhojë një të ardhme pa ndryshim. Dominimi i këtij duopoli politik konsiderohet një kërcënim për shpresën dhe rinovimin e sistemit politik shqiptar.
Spahiu: Berisha po mashtron elektoratin
Konkretisht juristi Kreshnik Spahiu ka folur lidhur me lajmin që po ‘feston’ PD se Berisha mund të udhëtojë në SHBA, vetëm me përjashtime siç është bërë për të gjithë të tjerët, por gjithsesi non grata i mbetet në fuqi. Spahiu thotë se pyetja që gazetari Caputo kishte publikuar duke cituar sipas tij, një përgjigje që i ka dhënë DASH, nuk lidhen aspak me non gratën. Ai tregon se pyetja e gazetarit ka qenë nëse Berisha mund të marrë një leje udhëtimi dhe thekson se viza dhe heqja e non gratës janë dy gjëra të ndryshme. “Njësoj si lajmi që këtë dhanë për arrestimin dhe hetimin e Yuri Kim. Një javë përshëndetën hetimin e Kim duke e quajtur të korruptuar, non grata, duke e quajtur që Rubio dhe DASH e flakën e nxorën pa punë, pastaj u desh që DASH ta përgënjeshtrojë. Nuk ka lajm zyrtar, as në webiste të DASH, nuk ka asnjë shënim në twitter apo rrjete sociale nga zyrtarët e DASH dhe çfarë është me rëndësishmja, që as pyetja e gazetarit, as burimi dhe vetë përgjigja nuk lidhen me non grata.
Ai ka pyetur për statusin non grata, por për mundësinë për të marrë një vizë udhëtimi në SHBA. Viza është gjë tjetër dhe çështja e non gratës është status tjetër. Mendoj që janë mbi 30 politikanë apo lider botërorë që kanë pasur dhe kanë statusin non grata dhe kanë udhëtuar në SHBA, nuk mund t’i pengojë ata të marrin pjesë në konferenca të Kombeve të Bashkuara apo evente të tjera diplomatike”, tha Spahiu për “Report Tv”. “Nëse do i ishte hequr non grata, përse Berisha shkoi në Greqi dhe Itali për fushatë elektorale, por jo në Amerikë për emigrantët?”, përfundoi Kreshnik Spahiu. Juristi tha gjithashtu se këshilltari amerikan Chris LaCivita duhej të justifikonte miliona eurot, njëjtë edhe për kompaninë lobuese “Continental Strategy”. Ndërsa për Berishën shprehet se ngelet i kënaqur se kanë marrë një gjysmë mesazh për t’i thënë elektoratit që nuk jam non grata, edhe pse nuk është e vërtetë.
Kreshnik Spahiu flet për zgjedhjet e 11 majit
Ndërkohë juristi Kreshnik Spahiu tha se rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit kanë gjasa të prodhojnë sërish një arenë politike të polarizuar nga PD dhe PS. Ai u shpreh se në këto zgjedhje, do të ketë një dominancë Rama-Berisha. Spahiu shprehet se nëse do të kemi sistem dypartiak, kjo do të thotë se situata do të jetë e pashpresë edhe pas 4 vitesh. Lidhur me deklaratën e Berishës se nuk do të heqë dorë nga politika, Spahiu tha se e sheh shqetësuese pasi kjo tregon se nuk do të ketë asnjë ndryshim.
“Unë mendoj që në këto zgjedhje përsëri do të kemi dominancën Rama-Berisha. Përsëri do të kemi dominancën PS-PD dhe kjo është ana më negative e zgjedhjeve për faktin se nëse rezultati i zgjedhjeve të 11 majit dihet, ajo çfarë do të ndodhë më 12 maj është prognoza e zgjedhjeve 2029, që do të thotë se nëse do të kemi një sistem dypartiak që do të thotë PD dhe PS, në shumicë, pra nuk po flas për 1 ose 2 mandate të partive të vogla, po nëse do të kemi dominancën e këtyre partive të mëdha, kjo do të thotë që situata është disi gri, e pashpresë edhe pas 4 vjetësh sepse përsëri do të kemi konkurrencë Edi Ramën dhe Sali Berishën. Dje Sali Berisha zyrtarisht ka deklaruar që edhe nëse do të humbasë nuk do të dorëhiqet. Madje ai ka thënë që për sa kohë të ketë frymë, për sa kohë të ketë jetë, 100, 120 vjeç, do të jetë aty në politikë dhe ky është një problem serioz sepse kjo është ajo çfarë do Edi Rama që do të thotë se Edi Rama paska lidhur me kollare se do të vazhdojë historia e bufit edhe në 2029 dhe 2033, Edi do i bjerë gërnetës për bufin e kënetës”, nënvizoi Spahiu për “Report TV”.