Show elektoral i Ramës dhe Ballukut, ja avioni që do ngrihet nga Rinasi dhe do ulet në Vlorë

Tre ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku kanë inskenuar një fluturim propagandistik në aeroportin e Vlorës, ende të papërfunduar dhe të pashfrytëzueshëm për operacione të rregullta ajrore. Avioni që shihni në foto, do të ngrihet sot nga Rinasi rreth orës 10:30 dhe pritet të zbresë në pistën e ndërtuar në Vlorë në orën 11:00, në një veprim të pastër elektoral, pa asnjë vlerë funksionale për transportin ajror të vendit. Ky “fluturim testues” nuk është as zyrtar dhe as teknik. Gazeta “SOT” raportoi në numrin e kaluar se pista nuk ka kaluar certifikimin për fluturime komerciale dhe nuk janë kryer testimet që do të garantonin sigurinë minimale për ulje-ngritje.
Madje, kompania “Albanian Airlines” ka refuzuar të marrë pjesë në këtë veprim, duke e konsideruar të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm. Gjithçka është organizuar me urgjencë për të inskenuar një “hapje” të aeroportit dhe për të prodhuar pamje mediatike të planifikuara për rrjetet sociale të kryeministrit. Rama ka paralajmëruar “ardhjen e turistëve në Jug”, por në fakt bëhet fjalë për një shfaqje me një avion të vetëm, në një pistë ende në ndërtim. Ndonëse projekti i aeroportit të Vlorës është prezantuar si një nga investimet strategjike të qeverisë, realiteti është se pas shumë shtyrjesh dhe premtimesh të pambajtura, pista nuk është as gati për funksionim minimal.
Qeveria, në vend që të japë shpjegime për vonesat, po shfrytëzon terrenin e ndërtimit si sfond për propagandë elektorale. Ky veprim ngre pikëpyetje serioze për abuzimin me infrastrukturën publike në funksion të fushatës zgjedhore. Në vend që të hapë aeroporte të certifikuar e funksionalë, qeveria zgjedh të “hapë” fushata nga ajri, me avionë të mbushur me propagandë dhe jo pasagjerë.