Tirana mikpret më 16 maj Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) duke bërë bashkë kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare.
Një ditë para Samitit të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, liderët e Këshillit Europian dhe të Bashkimit Europian do të mblidhen në një darkë pune në Tiranë me udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, përmes një videoje të shpërndarë në Facebook, bëri me dije se kanë nisur përgatitjet për këtë Samit.
Përballë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Rama e cilësoi këtë event si “spektakël për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare”, ndërsa paralajmëroi se e gjithë bota do të ketë sytë nga Tirana.
Në shesh po ndërtohet edhe “Shtëpia e Evropës”, me vizatime të fëmijëve nga të gjitha qytetet e vendit, si një shenjë e lidhjes së Shqipërisë me të ardhmen evropiane.
Rama: Mirmëngjes edhe një herë nga sheshi “Skënderbej” nën hijen e vetë atij, profetit të historisë sonë kombëtare, Gjergj Kastriotit, ku do të kalojnë të gjithë udhëheqësit e Evropës në datën 16 maj dhe këtu po bëhet edhe shtëpia e Evropës me vizatimet e fëmijëve të të gjitha qyteteve të Shqipërisë për Evropën. Këtu do të mikpresim të gjithë ata që do të vijnë në kryeqytetin e Evropës të Ballkanit. Nuk po zbuloj më shumë , por ky do të jetë një spektaklë i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe e gjithë bota do t’i ketë sytë nga Shqipëria, Tirana, nga sheshi i hetori tonë kombëtar./vizionplus.tv
