‘Kërkoj ndjesë për përkëdheljen ndaj Vrenozit’, Rama ‘i bie pishmanit’ në Korçë: U fry dhe u bë protagonist

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Korçë në kuadër të mbylljes së fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit, ku mbajti një fjalim para qytetarëve të mbledhur në sheshin qendror të qytetit.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi lidhjen historike dhe shpirtërore të Korçës me frymën europiane, duke përmendur fjalimin e kandidatit socialist Niko Peleshi si një reflektim për këtë rrugëtim.
Megjithatë, ai kaloi më tej në një ton kritik ndaj opozitës, duke iu referuar një ngjarjeje të mëparshme në Pallatin e Sportit në Korçë. Kryeministri kërkoi ndjesë për “përkëdheljen” ndaj Ilir Vrenozit, të cilin e akuzoi se ishte kthyer në protagonist të asaj që Rama e cilësoi si një “shfaqje porno-politike”.
“E filloj me një ndjesë për të gjithë ju që e përkëdhela Ilir Vrenozin në momentin e gabuar. U fry dhe u bë protagonisti i një shfaqje porno politike në pallatin e Sportit. Ku besoj se këneta i dha gjithë korçarëve pse duhet tharë dhe nuk duhet votuar më kurrë nga Korça. Historia ishte shumë e thjeshtë, më tregoi Niko një video të një deputetit të kënetës dhe ky deputeti bënte ‘Uuu uuu’, dhe ata ‘bravooo’. Nuk e besoja dot se ishte deputet.”