Një ditë pas skandalit me sigurinë ushqimore, ku u zbulua se nga Brazili në Shqipëri kanë hyrë 7.9 ton mish pule me salmonelë, policia shpalli në kërkim administratorin e kompanisë importuese “AMG Food”, Arben Goxha, 50 vjeç. Së bashku me të vëllanë, Mondi Goxha, i cili është vënë nën hetim nga policia, 50-vjeçari Arben Goxha akuzohet se ka importuar ushqime të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.
Hetime kanë nisur edhe për tre inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Gëzim Hushi, Sada Lufta dhe Aldo Sinjari, të cilët, sipas policisë, kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar futjen në treg të filetove të pulës me salmonelë.
Produkti i ardhur nga Brazili është futur në vendin tonë përmes Portit të Durrësit, ndërsa më 21 mars, përgjigjet e analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare kanë treguar se mishi është i kontaminuar me salmonelë.
Në pritje të përgjigjes së analizës, AKU tha se kompanisë “AMG Food” i ishte kërkuar të ruante produktin në ambientet frigoriferike dhe të mos e tregtonte. Por, në shkelje të ligjit, kompania e ka shitur atë në biznese të nivelit të dytë.
AKU ka bllokuar deri tani nga ngarkesa vetëm 4 ton mish me salmonelë.
/vizionplus.tv
