Çadra në plazh vetëm për hotelet, taskë forcë në terren për kontrollin e hapsirës bregdetare

Gjatë këtij sezoni veror, e drejta për plazh privat do t’i jepet vetëm strukturave akomoduese të kategorizuara nga ministria, që kanë një hapësirë plazhi në afërsi. Numri i çadrave që këto njësi do të vendosin për pushuesit do të llogaritet në bazë të numrit të dhomave. Sipas formulës së miratuar nga qeveria, për 1 dhomë do të vendosen 2 çadra.
“Presim të qëndrojmë në vlerën e 500 aplikuesve që kanë kaluar në fazën e dytë të miratimit paraprak për hapësirën e plazhit, por që duhet të plotësojnë edhe dokumentet finale. Besoj do të qëndrojmë në këto numra sepse kanë kaluar një sërë kriteresh dhe vlerësimesh. Kemi dyfishim të parcelave publike dhe një rënie, dhe një përmbysje të numrit me subjektet private.”, tha Herida Duro, Drejtore e politikave dhe strategjive të turizmit, ministria e turizmit.
Detyrimi për subjektet private është që çadrat t’i vendosin në distancë prej 3 metrash, të kenë dush, kabinë zhveshjeje, tualet dhe vrojtues plazhi. Për të monitoruar situatën, në terren gjatë sezonit do të jetë një task forcë.

“Do të ngrihet një task forcë e dedikuar me mbi 40 përfaqësues të gjithë institucioneve qendrore, por edhe agjencive e specializuara për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, që janë pjesë e një platforme dhe një sërë masash operacionale, të gjitha subjektet të jenë brenda normave të zhurmave, të ndotjes akustike, të mirëmbajtjes. Këtë vit do të mbulojmë të gjithë vijën bregdetare për pastrim, për të gjithë pushuesit.”, shprehet Duro.
Përjashtime në ligj bëhen për bashkitë Fier dhe Divjakë, në stacionet e plazhit që nuk kanë struktura akomoduese pranë hapësirës së plazhit. Në këto zona, e drejta për të menaxhuar një stacion plazhi do të jepet edhe për biznese të tjera që ofrojnë shërbim aty, me kushtin që të kenë kapacitet mbi 20 tavolina.
/vizionplus.tv