Rama premton ujësjellës të ri në Sarandë

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Sarandës. Rama u shpreh se në këtë qytet është rritur numri i investimeve dhe është shtuar numri i konsumatorëve. Ai shtoi se si pasojë e kësaj do të riinvestohet në këtë zonë për furnizimin cilësor me ujë të pijshëm në të gjitha orët e ditës dhe gjatë pikut të sezonit veror.
“Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar në Sarandë. Por, Saranda është një qytet që ka një problem ndryshe. Këtu është bërë një investim i rëndësishëm për ujin, mirëpo ajo që ka ndodhur është se ndërkohë që në zonat e tjera uji i pijshëm është shumë më mirë, në Sarandë ka ndodhur që janë bërë më shumë investime, është shtuar numri i konsumatorëve. Nëse për banorët ka një normalitet në furnizim, sapo fillon invazioni i turistëve fillon edhe rënia e furnizimit.
Kjo do të thotë se nuk e nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse të riinvestohemi për të bërë një investim specifik dhe madhor për këtë zonë, sepse në ndërkohë po shohim projekte të reja nga investitorë dhe arkitektë që do ta rrisin shumë cilësinë e turizmit në Sarandë dhe paralajmërojmë për prurje më të mëdha të turistëve dhe vizitorëve. Kjo do të thotë më shumë ekonomi dhe të ardhura, por edhe një përgjegjësi e madhe sepse do të ketë akoma më tepër nevojë për ujë të pijshëm dhe një furnizim cilësor në të gjitha orët”, tha Rama.