Hartimi i PMI për Beratin e Gjirokastrën, grupi i punës takime me institucionet dhe inspektim në sitet e trashëgimisë

Nga Julia Vrapi
Në kuadër të hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s, grupi i punës ka nisur takimet me institucionet lokale, por ka vijuar dhe inspektime në terren. Ky proces është i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ku për dy ditë, në 26 dhe 27 mars u zhvillua një vizitë në terren me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Universitetit të Tiranës dhe ekspertëve të huaj. IKTK bën me dije se inspektimi në sitet e trashëgimisë kulturore ishte për të njohur më nga afër dhe potencialet e tyre. “Gjatë kësaj vizite, grupi i punës zhvilloi takime me institucionet lokale kyçe, të cilat do të jenë partnere në këtë proces, si dhe realizoi inspektime në sitet e trashëgimisë kulturore për të njohur më nga afër sfidat dhe potencialet e tyre.
Ky proces bashkëpunues synon të sigurojë një menaxhim të qëndrueshëm dhe të integruar të këtyre dy qyteteve historike, duke ruajtur dhe promovuar vlerat e tyre unike”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Zbatimi i Planit të Menaxhimit të Integruar (PMI) sipas IKTK më herët do të zhvillohet për një periudhë 7-vjeçare 2023-2030. Objektiva:1. Zhvillimi i PMI-së bazuar në një analizë të detajuar të situatës ekzistuese dhe vlerave të trashëgimisë kulturore; 2. Përdorimi i qasjes së Rekomandimit për Peizazhin Historik Urban (2011); 3. Përfshirja e komponentit të menaxhimit të riskut për zbutjen e kërcënimeve nga fatkeqësitë natyrore dhe/ose të shkaktuara nga njeriu; 4. Harmonizimi i dokumenteve për administrimin e zonës në drejtim të ruajtjes, zhvillimit ekonomik dhe atij të territorit; 5. Sigurimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes konsultimit me të gjitha palët e interesit, përfshirë shoqërinë civile.
Projekti është ndërmarrë nga IKTK
Projekti për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për qendrat historike Berat dhe Gjirokastër është ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në kuadrin e vendimeve të vazhdueshme të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në lidhje me nevojën urgjente të hartimit të një Plani Menaxhimi të Integruar (PMI), për pronën pasuri botërore “Qendrat Historike të Gjirokastrës dhe Beratit”. Siç bëhet me dije në një raport të publikuar në IKTK më parë, projekti udhëhiqet nga ky institut nën koordinimin e Qendrës së Trashëgimisë Botërore (QTB) të UNESCO-s, në kuadër të detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Trashëgimisë Botërore, si dhe në bazë të legjislacionit shqiptar për trashëgiminë kulturore. Në maj të vitit 2022 u realizua një anketim me qëllimin për një përfshirje sa më aktive të komunitetit në projektet e trashëgimisë kulturore.
Qyteti i Beratit iu shtua listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në 2008. Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI, VIII, XV dhe XIX. Ndërtesat brenda kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara gjatë epokës otomane, e cila filloi në vitin 1417. Më 15 korrik 2005 Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, e vlerësuar për arkitekturën, historinë dhe traditën e saj. Qyteti ruan skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.