Magnetizmi i pakrahasueshëm i Princeshës Diana vijon të frymëzojë edhe dekada pas vdekjes së saj, dhe një biografi e re e saj e konfirmon edhe më shumë ndikimin që ajo ushtronte te njerëzit. Në librin “Dianaworld: Një obsesion” të autorit Edward White, i sapo publikuar, zbulohet një episod i panjohur më parë nga jeta e saj shoqërore në vitet ’90.
Sipas një fragmenti të botuar nga revista People, një incident i pazakontë ndodhi gjatë një feste ku ishin të pranishëm yjet hollywoodian Sylvester Stallone dhe Richard Gere. Ngjarja është rrëfyer nga David Furnish, bashkëshorti i Elton John, i cili kujton tensionin e krijuar mes dy aktorëve për shkak të Dianës.
Furnish përmend të ashtuquajturin “efekti Diana”, një fenomen që, sipas tij, i bënte burrat heteroseksualë “të humbnin mendjen kur ajo ishte pranë”. Gjatë asaj feste – në mesin e viteve ’90, kur Diana ishte tashmë e divorcuar nga Princi Charles – Sylvester Stallone kishte ardhur “me qëllimin e qartë për ta bërë për vete atë”, por e gjeti princeshën në një bisedë të zjarrtë me Richard Gere.
Sipas Furnish, tensioni mes dy aktorëve arriti kulmin: “Në një moment i pamë të dy, Stallone dhe Gere, gati të përlesheshin fizikisht, si për të zgjidhur me grushte mosmarrëveshjet e tyre për Dianën”.
Nuk ishte hera e parë që Stallone shfaqte interes për princeshën. Tessa Baring, një tjetër e njohur e saj, kujton një drekë në Londër ku aktori kishte kërkuar të ulej pranë saj. “Ai donte vërtet të ulej pranë Princeshës së Uellsit,” tha ajo. “Nuk e lamë. Në vend të kësaj, e vendosëm pranë një fëmije që ndodhej afër saj”.
Këto rrëfime i japin dimension të ri figurës së Dianës dhe ndikimit të saj të jashtëzakonshëm, edhe në mesin e yjeve të mëdhenj të Hollivudit.
/vizionplus.tv

Leave a Reply