‘Ju e vuajtët në kurriz një parti të re’, Rama nga Berati ironizon Metën: Hante sa andej-këndej deri sa i plasi stomaku

Gjatë një takimi elektoral në qytetin e Beratit, kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sulmoi ashpër Partinë e Lirisë dhe partitë e reja, duke i cilësuar si të paafta dhe të rrezikshme për stabilitetin politik të vendit.
Rama ironizoi Partinë e Lirisë duke thënë se kjo forcë politike ka lëvizur nga një vend në tjetrin me një oreks që e tejkalonte kapacitetin e saj, duke sjellë pasoja të rënda për qytetarët. “Ju këtu në qarkun e Beratit e keni paguar shtrenjtë ekzistencën e një partie të re… që e kishte oreksin më të madh se ç’ishte stomaku, sa i plasi stomaku, por ama pasojat i paguat juve,” deklaroi ai.
Në sulmin e tij ndaj opozitës, Rama përdori sërish metaforën që ka përdorur gjatë kësaj fushate, duke i quajtur kundërshtarët “këneta me bufin”, ndërsa ironizoi dhe nevojën për “gjenerator” për të ndriçuar idetë e tyre politike.
Sipas tij, Partia Socialiste mbetet forca e vetme politike që ofron stabilitet dhe zhvillim për vendin. “Nëse na vjen neve në dorë, ne do ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka parti më të re se sa Partia Socialiste,” tha Rama.