Nga Julia Vrapi
Artistët e grupimit “Muri” ekspozitën e parë për këtë vit do ta hapin në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat. Hapësirat e pakta ekspozuese në Tiranë, kanë bërë që artistët e këtij grupimi që prej disa vitesh po vijojnë me ekspozita për artdashësit t’i drejtohen galerive nëpër rrethe. Piktori i njohur Adrian Devolli njëkohësisht dhe kryetar i grupimit artistik “Muri” thotë se në aktivitetin e tyre ekspozimi i veprave në Tiranë është me jo pak vështirësi për shkak të mungesës së sallave.
“Ekspozita jonë e parë këtë vit do hapet tek galeria “Edward Lear” në Berat. Galeria në Berat është një galeri relativisht shumë e mirë, me ndriçim të mirë, hapësira të mëdha. Ne do jemi në Berat këtë herë me ekspozitën e grupimit të artistëve “Muri”, sepse në Tiranë nuk ka hapësira, nuk ka salla për ekspozim. Pyesim tek Piramida që ka dy salla atje na thonë janë të zëna. Galeria FAB te Universiteti i Arteve vijon me programin e saj se është e shkollës, Muzeu Historik Kombëtar është në rikonstruksion dhe atje nuk ekspozohet si dikur te sallat, Galeria e Artit Tiranë ka programin e saj”, thotë piktori Adrian Devolli.
Të gjendur përballë hapësirave të pakta për të ekspozuar veprat e tyre, piktori Devolli thotë se artistët përballen edhe me probleme të tjera me aktivitetin e tyre artistik. Sipas tij, sot mungon për artistët edhe një vlerësim si duhet nga institucionet në vend. “Duke mos pasur mbështetje nga qeveritë, ministritë, artistët ndjehen të fyer, sepse vjen dikush që shet në rrugë në një shtet tjetër dhe këtu i japin edhe tituj. Pra dalim te kritika, sepse lavdërohen njerëz dhe kot. Kemi njerëz në institucione, që nuk kuptojnë çfarë është arti, vlera artistike”, thotë piktori Devolli ndër të tjera.
Punë të reja në ekspozitë
Ekspozita në galerinë e Beratit të këtij grupimi artistësh do të hapet në muajin qershor dhe do të qëndrojë dhjetë ditë për artdashësit. Herë pas here në atë galeri hapen ekspozita të ndryshme dhe në vijim të programit të saj do të jenë edhe artistët e grupimit “Muri”. Ekspozitat që hapin artistët e grupimit “Muri” janë me punime të reja që ekspozohen për artdashësit. Piktori Adrian Devolli ndërsa flet për problemet në jetën artistike, sjell në vëmendje mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit. “Ne kemi një rregull si grupim artistik që gjithmonë të kemi punë të reja në ekspozitë, sepse kjo na shërben neve vetë si artistë.
Ne kemi mungesën e kritikës profesionale në fushën e artit që është domosdoshmëri, atëherë do zgjedhësh rrugë, alternativa, që si artist të përballesh me kolegët”, thotë më tej piktori Devolli. Artistë e këtij grupimi artistik kanë hapur dhe më parë ekspozita në galeritë në rrethe, si në Vlorë apo dhe në Fier. Piktori Adrian Devolli thotë se galeritë në rrethe janë shumë mikpritëse. “Tirana pa hapësira ekspozuese, ndaj ne i drejtohemi galerive në rrethe”, vijon piktori Devolli. Grupimi i artistëve “Muri” ekspozitën e parë e hapi në dhjetor 2021 në Galerinë e Artit Tiranë. Formimi i grupit “Muri” ishte njoftuar më herët dhe pas ekspozitës së parë, të tjera u hapën në vijim të aktivitetit artistik të artistëve.
Hapësira të pakta ekspozuese në Tiranë, artistët e grupimit “Muri” i drejtohen galerive në rrethe
