“Kjo është skandaloze”, Këlliçi denoncon krimin zgjedhor të Ramës: Ambasada pagoi takimin në Kretë

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se po kryen krim zgjedhor. Këlliçi deklaroi se Rama po përdor pushtetin e tij dhe se është rast i një korrupsioni të shfrenuar qeveritar.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi thotë se një media greke ka konstatuar kryerjen e një pagese nga Ambasada e Shqipërisë në Greqi, për zhvillimin e një takimi elektoral në Hania të Kretës.
Këlliçi shprehet se kjo është skandaloze, jo vetëm sepse ndodh haptazi, por edhe për arsye se është krim zgjedhor dhe si i tillë duhet dënuar.
“Edi Rama kryen krim zgjedhor!
Nën peshën e rëndë të korrupsionit të shfrenuar qeveritar, kreu i organizatës vazhdon të përdorë gjithë pushtetin e tij, duke abuzuar dhe kryer krim zgjedhor, pa u shqetësuar aspak!
Media greke “Zarpaneës” konstaton se ambasada e Shqipërisë në Greqi ka kryer pagesën e një salle, në të cilën Edi Rama zhvillon takim elektoral.
Kjo është skandaloze, dhe jo vetëm pse ndodh kaq haptaz, por akoma më shumë…
Është krim zgjedhor, dhe si i tillë duhet dënuar!!!
Task Forcën e SPAK për krimet zgjedhore e ka parë njeri ku është?!”,-shkruan Këlliçi.