Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti përshkroi sloganin dhe logon për fushatën elektorale, “Shqipëria Madhështore”.
Në një lidhje direkte për një emision televiziv, Alimehmeti renditi armët më të forta të opozitës në këto zgjedhje përballë PS që ka fituar 3 mandate.
Ai komentoi gjithashtu edhe sfidat që opozita do të ketë për të fituar besimin e skeptikëve dhe për të arritur rezultate konkrete në zgjedhjet e ardhshme.
Intervista e plotë:
PD prezantoi sot sloganin dhe logon për fushatën elektorale, “Shqipëria Madhështore”; a funksionon në Shqipëri ky slogan i huazuar nga amerikanët dhe fushata e Trump, “Make America Great Again”?
Alimehmeti: Ne duhet ta shohim këtë slogan se si mund të jetë. Por si mund ta përshkruajmë, është që një shqiptar të jetojë në Shqipëri me dinjitet, me kokën lartë, të bëjë një jetë dinjitoze dhe që Shqipëria mos ta shohë vendet e tjera të rajonit nga bishti, por të jemi lider. Shqiptari të ketë vendin e vet dinjitoz brenda Ballkanit.
Cila është arma më e fortë e opozitës në këtë fushatë zgjedhore, përballë një kryeministri që ka fituar 3 mandate?
Alimehmeti: Ju e dini fare mirë se si kanë shkuar zgjedhjet e kaluara dhe se çfarë raportesh ka me OSBE/ODHIR. Ne e dimë se si funksionon, i kemi politikat të qarta pro familjare dhe jo politika të tipit prindi 1, prindi 2. Jemi të qartë që nëse kemi një person që është ekonomikisht i mbështetur, ai mund të ngritë një familje, mund të mbështet mosha e tretë. Ndaj çdo mandat që ka fituar Rama, grupi i emigrantëve që kanë shkuar jashtë është rritur.
Çfarë mesazhi do t’u çoni skeptikëve, që thonë se PD nuk merr mandate përtej listës së mbyllur? Ju vetë garoni në listën e hapur në Tiranë
Alimehmeti: Skeptikët përgjigjen do e marrin në 11 maj. Unë do i ftoj ata të mendojnë për veten e tyre më parë. Janë aty ku i keni familjarët apo janë larguar, kanë ikur nga Shqipëria. Ekonomikisht si jeni? Jeni të vjedhur apo jeni të pasuruar? Këto pyetje duhet t’i bëjnë njëri-tjetrit shqiptarët. Nëse PS i merr këto zgjedhje, sepse nuk i fiton, i merr, atëherë ky vend nuk ka më shpresë. Do votojmë Partinë Demokratike më 11 maj.
Grupi i këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës i dërgoi një letër Kongresit të Autoriteteve Lokale në Këshillin e Europës, ku akuzonte kryeministrin Edi Rama se ka cenuar pavarësinë e pushtetit vendor me ndërhyrjet në Bashkinë e Tiranës. Cilat janë shkeljet që ju keni konstatuar?
Alimehmeti: Është antikushtetutshmëri madhore. Kryeministri nuk ka fare të drejtë të ndërhyjë në pushtetin vendor. Janë të pavarura me Kushtetutë. Kjo është shkelje direkte e kryeministrit. Po letra e Anduela Ristanit, ku është firmosur? Ku është shkresa?
Zgjedhjet, Ilir Alimehmeti zbulon ‘armën’ më të fortë të opozitës që do të “fundosë” mazhorancën në 11 maj
