Mishi me salmonelë, zyrtari i AKU: Sasia është shpërndarë në 10 qarqe të vendit

Drejtori i Menaxhimit të Rrezikut në Autoritetin e Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi, ka ndarë informacione të reja lidhur me procesin e kontrollit të mishit të pulës që u shpërnda në treg me prani salmonelë. Në një deklaratë për mediat, Jorgaqi ka konfirmuar se sasia e këtij mishi është shpërndarë në 10 qarqe të vendit.
Sipas Jorgaqit, janë telefonuar të gjithë operatorët e bizneseve, duke kërkuar që ata të kthejnë mbrapsht produktin dhe ta heqin nga tregu për të mbrojtur konsumatorët. Ai gjithashtu ka theksuar se procesi i kontrollit po vazhdon dhe është tashmë në ditën e tretë, duke arritur deri në qarqet më të largëta të Shqipërisë.
“Janë telefonuar një për një operatorët e bizneseve të kthejnë mbrapsh produktin dhe konsumatorët. Sot është dita e tretë që jemi në terren dhe jemi deri në qarqet më skajore. Sasia më e madhe është shpërndarë në Tiranë, për shkak të numrit të lartë të operatorëve të biznesit”, shpjegoi Jorgaqi.
Në lidhje me faktin që produkti ka kaluar kontrollin e AKU-së, Jorgaqi e arsyetoi këtë si një kontaminim natyror të mishit me salmonelën, duke theksuar se nuk ka pasur ndihmë nga strukturat e AKU-së në këtë çështje. Ai shtoi se salmonela është një nga ndotësit më të zakonshëm të produkteve ushqimore, dhe është një problem që duhet trajtuar me seriozitet.