Mishi i pulës me salmonelë, Tomorri: Populli po helmohet çdo ditë dhe askush nuk mban përgjegjësi

Gazetari Klodian Tomorri ka reaguar ashpër ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) pas publikimit të skandalit të mishit të pulës me salmonelë që është futur në treg për konsum.
Në një postim në rrjetet sociale, Tomorri kritikon gjuhën e përdorur nga AKU në njoftimin e saj zyrtar, duke e cilësuar atë si një “lojë fjalësh” për të shmangur përgjegjësinë dhe për të “hedhur hi syve qytetarëve”.
“Kemi marrë masa për bllokimin e pulave me salmonelë, – thotë AKU. Pastaj, një fjali më poshtë, shprehen se kanë inspektuar importuesin për të ndjekur gjurmueshmërinë. Pra, me pak fjalë, pulat me salmonelë u shitën në treg dhe u konsumuan nga njerëzit,” – shkruan gazetari.
Tomorri e lidh këtë rast me skandalin e mëparshëm të mandarinave të importuara nga Kroacia, të cilat u kthyen mbrapsht për shkak të ndotjes me pesticide, por më pas u shitën në tregun shqiptar. Ai ironizon duke thënë se ish-kreu i AKU-së, që u përfshi në atë rast, përfundoi kandidat për deputet, ndërsa kryetari aktual mund të bëhet ministër për “kontributin” e tij në shpërndarjen e mishit të infektuar.
“Tani, mandarina jo se helmohesh. Vezë jo se po ngordhin pulat. Mish pule jo se të rrasin salmonelën. Ore, jeni në terezi çfarë po u bëni njerëzve? Dhe keni kurajon të lëshoni e-maile me lojëra fjalësh si zuzare.”
Gazetari përmbyll reagimin e tij me ironi, duke parashikuar se qeveria do të dalë me një zgjidhje teknologjike për krizën e sigurisë ushqimore:
“Tani presim të dalë kryeministri dhe të na thotë që do fusim inteligjencën artificiale në sigurinë ushqimore dhe rregullohet kjo punë.”