Banka Botërore parashikon se norma e përbashkët e rritjes ekonomike për Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që përbën një rishikim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm. Rritja parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet me ritëm të moderuar në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve, thuhet në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot. Pasiguria në tregtinë globale ka gjasë të prekë Ballkanin Perëndimor, kryesisht si rrjedhojë e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në zonën e euros. Ky ngadalësim mund të pakësojë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.
Shqipëria
Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2024 vijoi të mbetet e fortë në rreth 3,9%, ndërsa pritet të arrijë në 3,2% në 2025 dhe 3,1% në 2026. Rritja ekonomike do të mbështetet nga rritja e konsumit, investimeve dhe të ardhurave nga turizmi. Rreziqet ndaj perspektivës janë shtuar për shkak të pasigurisë që rrethon perspektivat ekonomike globale dhe tregtinë. Viti 2024 u mbyll me një bilanc pozitiv për ekonominë e Shqipërisë, e mbështetur nga performanca e fortë e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit. Niveli i papunësisë ra në 9,4%, ndërsa pjesëmarrja në forcën e punës u rrit në 75,7%.
Inflacioni u ul ndjeshëm në vitin 2024, në një nivel mesatar vjetor prej 2,2%, duke u përgjysmuar krahasuar me vitin 2023. Kjo rënie i atribuohet kryesisht reduktimit të presioneve inflacioniste të nxitura nga importi. Ekonomia e Shqipërisë parashikohet të rritet me 3,2% në vitin 2025 dhe 3,1% në 2026, pavarësisht pasigurisë së politikave tregtare globale dhe ndryshimeve që po ndodhin në perspektivën globale.
“Ne presim që rritja ekonomike e Shqipërisë të vijojë të jetë e qëndrueshme në të ardhmen e afërt, megjithëse pasiguritë rreth tregtisë globale dhe rritjes së përgjithshme paraqesin rreziqe potenciale. Për të mbështetur qëndrueshmërinë e rritjes së saj ekonomike, Shqipëria duhet të vazhdojë zbatimin e reformave që synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe ndërtimin e një shteti digjital, duke u integruar më tej me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian”, Richard Record, Menaxheri në Detyre i Bankës Botërore për Shqipërinë.
Rritja ekonomike e parashikuar ka gjasa të ndikojë në uljen e varfërisë në Shqipëri. Inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2025 dhe të luhatet rreth këtij niveli për periudhën afatmesme. Ndërkohë, deficiti i llogarisë korente parashikohet të jetë rreth 3,7% e PBB-së nga viti 2025 e në vijim—që është nivel më i lartë se në vitin 2024, por nën mesataren e tij historike. Bilanci primar fiskal i vendit parashikohet të mbetet pozitiv, duke arritur mesatarisht në 0,4% të PBB-së ne vitin 2025, siç ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Për më tepër, borxhi publik parashikohet të bjerë më tej, duke arritur mesatarisht në 52,8% të PBB-së gjatë periudhës 2025–2027.
“Varfëria në Shqipëri në rënie…”/ BB ul pritshmëritë për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor
