Ja si pensioni minimal mund të rritet me 200 euro pa tronditur financat publike, eksperti i njohur i ekonomisë…

Në prag të zgjedhjeve vendore të 11 majit 2025, klima politike në Shqipëri është përfshirë nga tensione dhe përplasje të ashpra, ku një pjesë e mediave dhe analistëve janë vënë haptazi në funksion të propagandës qeveritare. Kjo situatë alarmante analizohet në detaje nga eksperti i njohur i ekonomisë, Kujtim Hoxha, i cili zbërthen për gazetën “SOT” skemën e manipulimit publik, demaskon fshehjen e të dhënave ekonomike dhe tregon se si pensionet minimale mund të rriten deri me 200 euro, pa tronditur financat e shtetit. “Pa ‘dashur’ njerëz nga drejtime të ndryshme, nga të gjitha fushat, ditët e fundit janë hedhur në sulm për të atakuar programet elektorale të opozitës shqiptare.
Duke i rënë bories dhe firzamonikës, janë bërë një trup i vetëm me propagandën e qeverisë! Më bën përshtypje ky fakt, sepse mediat që përcjellin të njëjtin qëndrim si ai i qeverisë janë jo vetëm jashtë misionit të tyre si pushtet i katërt, por edhe propagandues të gjendjes në Shqipëri, se nuk mund të ndryshojë asgjë nga ajo që përjetojmë si shqiptarë. Shkurt, janë pararojë e propagandës së qeverisë/partisë-shtet, se ky fat na paska rënë dhe duhet ta vuajmë”, shkruan Hoxha.
Mashtrimi i madh
Sipas Hoxhës, qeveria këmbëngul me ngulm në justifikimin e dështimeve të sa.”Qeveria këmbëngul se kaq janë mundësitë e vendit tonë dhe nuk mund të rritim pensionet, rrogat, subvencionet e fermerëve, përmirësimin e kushteve në arsim, shëndetësi, uljen e çmimit të naftës etj.” Por eksperti denoncon se këto janë mashtrime të qëllimshme që synojnë të justifikojnë varfërinë e vendit dhe të mbulojnë keqmenaxhimin dhe vjedhjen sistematike të fondeve publike. Në këtë klimë mashtrimi të organizuar, Hoxha evidenton edhe rolin e disa gazetarëve, ekonomistëve dhe juristëve të angazhuar në mënyrë të turpshme në këtë propagandë.
“Do mundohem pa hyrë politikisht të shpreh mendimet e mia në lidhje me qëndrimet e një sërë gazetarësh/ekonomistësh apo juristësh me qëndrimet e tyre disfatiste në dëm të interesave të qytetarëve shqiptarë dhe pritshmërisë së tyre. Në këto emisione aspak profesionistë dhe të pamoralshëm japin mendime Çoçolët me shokë, bile edhe ish-ministra të drejtësisë/padrejtësisë, duke sulmuar opozitën për programin e saj, i cili sipas tyre do të sillte tërmet në financat publike!”, shprehet ai.
Të dhënat zyrtare
Hoxha shtron pyetje të drejtpërdrejta dhe akuzuese ndaj këtyre “specialistëve”: “A e kanë lexuar Raportin Vjetor të ISSH-së këta gazetarë/specialistë? Po Raportin Statistikor të INSTAT-it për vitin 2024? Po atëherë si mund të japin opinion këta njerëz kur nuk kanë statistika dhe njëkohësisht përhapin një frymë disfatiste se pensionet dhe pagat nuk mund të rriten sepse do të kishim një tërmet në financat publike?” Sipas tij, këta individë janë thjesht në një mision disinformimi keqdashës, të orientuar nga qeveria, për të larguar qytetarët nga Shqipëria dhe për të mbajtur gjallë këtë regjim të kalbur.
Eksperti sjell një fakt tronditës që përmbys gjithë propagandën zyrtare: “Po, o zotërinj, pensionet mund të rriten me jo më pak se 200 euro pa tronditur financat publike dhe pa sjellë poshtë e përpjetë pensionistët që sot nuk marrin as shërbimin minimal nga ISSH.” Ai shpjegon se, nëse do të kishte transparencë me fondet publike dhe ndalje të vjedhjeve, shteti shqiptar do të kishte më shumë se mjaftueshëm burime për të garantuar një jetë dinjitoze për pensionistët.
Pse nuk publikohen raportet ekonomike? Fshehja kriminale e qeverisë
Kujtim Hoxha ngre dhe një tjetër alarm. “Nëse këta zotërinj do të kishin kërkuar ISSH-së dhe INSTAT-it publikimin e raportit vjetor të tyre për vitin 2024, të cilin duhet ta publikonin brenda 31 marsit të vitit 2025, lexuesit dhe teknikët do të konstatonin çudira. Atëherë pse këto dy institucione nuk kanë publikuar raportin e vitit 2024? Pse këta specialistë ekonomistë e juristë nuk kanë folur për këtë problem?”
Sipas tij, kjo nuk është rastësi. “Sigurisht, kjo është dora e kryetarit të qeverisë i cili ka ndaluar publikimin e këtyre dy dokumentave nga më të rëndësishmit për të bërë analiza dhe për të nxjerrë konkluzione”, thotë ai. Në përfundim të analizës së tij të gjatë dhe të argumentuar, Hoxha bën një thirrje të fortë për ndërgjegjësim: “Opozita, sido që të jetë, ka sjellë ofertën e saj shpresëdhënëse për të ndryshuar situatën dhe përmirësimin e ndjeshëm të ekonomisë së çdo shqiptari. Të paktën, o gazetarë e specialistë, bëni detyrën tuaj si njerëz të pavarur dhe misionarë për ngjalljen e shpresës te shqiptarët se ky vend mund të bëhet shumë më mirë se ç’është dhe të largohen ata që nuk mund të bëjnë më për këtë vend.”
Eksperti e përmbyll me një mesazh të fortë: “Shqiptarët nuk vuajnë nga fukarallëku, por nga padrejtësia shoqërore, nga ndarja në tanët dhe të atyre, nga vjedhja masive e fondeve publike, kuptohet nga njerëz të veshur me pushtet dhe të mbrojtur nga një pjesë e drejtësisë dhe mediave disinformuese. Lërini shqiptarët të zgjedhin problemet e tyre me njerëz që mund t’i bëjnë punët shumë më mirë: ‘Pa tronditur financat publike’.”