Nga Tea Sadiku“Shqiptare të panjohur”, një ekspozitë që nxjerr në dritë portretet të heshtura të një kombi, që jo gjithmonë ka parur mundësinë të njohë veten, vjen nga artisti Ben Blushi në hollin e kryeministrisë.
E vendosur si një rrëfim i munguar i historisë së njerëzve të zakonshëm, ekspozita shpalos fytyrat, emrat dhe jetët e atyre shqiptarëve që nuk u shkruan kurrë në libra. Janë burra e gra, të rinj e të moshuar, qytetarë, por me histori të jashtëzakonshme, të cilët rrjedhat politike, sociale apo thjesht harresa i lanë jashtë vëmendjes. Kjo ekspozitë është kthimi i tyre.
“Në për Shqipëri gjen shumë njerëz si këta që unë kam fotografuar, dhe duke bërë portretet e tyre, mënyrën si ata jetojnë, veprojnë më mësuan si të fotografoj në njëfarë mënyre. U kisha një detyrim për t’i sjell në një ekspozitë gjithë bashkë dhe besoj që njerëzit e kanë pëlqyer sepse janë nga ata njerëz që nuk i sheh çdo ditë në televizor. Janë njerëz modest, në punën e tyre, nuk shqëtësojnë njeri, nuk i japin mend askuj, jetojnë në mënyrën e vet dhe në fakt kjo është Shqipëria”, shprehet Ben Blushi
Me një sy që përzien shkrimtarin me fotografin, ai ka arritur të ndërtojë një narrativë që rrefen pa fjalë, përmes syve të atyre që ndoshta nuk folën kurrë. Fotografitë dhe tregimet e tyre nuk janë as muzeale, as larg realitetit tonë, përkundrazi, ato janë pasqyrë e gjallë, e kthjellët dhe ndonjëherë e dhimbshme.
“Unë nuk jam fotograf, unë jam njeri kurioz që eci nëpër rrugë. Dhe jam kurioz për të parë e njohur njerëz të panjohur. Ai që fotografon i ngjan pak atij gjuetarit që ecën nëpër pyll dhe kërkon prenë e vet dhe unë kërkoj subjekte që më pëlqejnë. shumica e tyre është një histori më vetë dhe unë mund të tregoj një histori për secilën prej tyre pasi në momentin që i fotografon krijon një marrëdhënie.”
Kjo ekspozitë nuk është thjesht një ftesë për të parë fotografitë e shkrepura nën optikën e Blushit, është një katarsis shpirtëror që e përfton çdokush që bëhet pjesë e saj, aty ku do të mund të gjeni fytyrën e çdo shqiptari brenda e jashtë kufijve.
/vizionplus.tv
