Berisha: Infrastruktura e Borshit do ketë përparësi të plotë! 4-vjeçari që vjen do ta çojë pronën tek i zoti

Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Borshit, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronave në Borsh dhe kthimin e tyre tek të zotët brenda katër viteve të ardhshme, përmes kompensimit me tokë ose para. Berisha akuzoi qeverinë Rama për abuzime me tokat shtetërore në zonat turistike dhe për vonesa në trajtimin e dosjeve të pronësisë.
Lideri i opozitës, u zotua për lehtësira për bizneset: përgjysmim taksash, ulje çmimesh për energjinë dhe ujin, rritje të pragut për TVSH dhe tatim fitimin. Për fermerët, Berisha premtoi subvencione për çdo njësi prodhimi pa kufizime.
Berisha theksoi se infrastruktura e Borshit do ketë përparësi të plotë, dhe ndërtimi i tunelit të Llogarasë do vijë vetëm pasi të zgjidhet problemi i ujërave të zeza në bregdet. Synimi: zhvillim ekonomik, mbrojtje mjedisi dhe dinjitet për banorët e bregut, deklaroi ai.

“Infrastruktura e Borshit do ketë përparësi të plotë. Unë e njoh problemin dhe u them se do zgjidhet 100 përqind. Unë ua thashë në Himarë, ua them edhe këtu. Unë nuk ndërtojë tunelin e Llogarasë pa u dhënë përgjigje problemit të ujërave të zeza nga Semani te Kepi i Stillës. Pasi të ngrinim flamurin blu në ujërat tona, atëherë do vazhdonim me të tjera sepse ai kusht themelor për të qenë në Europë, nuk është tuneli. Kusht themelor për të qenë në Europë është që të mos derdhen ujërat e zeza aty ku lahen njerëzit”, tha Berisha.
Berisha ndër të tjera akuzoi Ramën se ka larguar shqiptarët nga vendi për shkak të varfërisë e pasigurisë. Ai i bëri thirrje qytetarëve që në 11 maj të votojnë për një projekt që ofron shpresë dhe dinjitet për të rinjtë, pensionistët, fermerët dhe bizneset, në kuadër të “Shqipërisë Madhështore”./vizionplus.tv