Partia Demokratike i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë zyrtare për të sqaruar një problematikë serioze që lidhet me listat e votuesve për zgjedhjet e 11 majit. Sipas PD-së, janë identifikuar të paktën 137 raste të qytetarëve që figurojnë njëkohësisht në listën e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit dhe në listën e atyre që votojnë brenda territorit të Shqipërisë. Ky fakt ngre shqetësimin për mundësinë që këta persona të mund të votojnë dy herë, duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në dokumentin dërguar KQZ-së, PD kërkon sqarime të detajuara mbi këtë fenomen. Ajo pyet nëse janë kryer auditimet përkatëse dhe nëse ky problem është konstatuar edhe në qarqe të tjera përveç rastit të 137 individëve të përmendur. Gjithashtu kërkohet të dihet se cilat masa janë marrë për të shmangur dublimet dhe në cilën listë do të mbeten këta persona – në atë të jashtme, siç kanë kërkuar vetë, apo në atë të brendshme ku janë të regjistruar në mënyrë pasive.
Një tjetër shqetësim që ngrihet në shkresë lidhet me qytetarët e diasporës që janë regjistruar përmes vendimeve gjyqësore si votues nga jashtë, por që nuk janë përfshirë në listat përfundimtare. PD kërkon të dijë se sa janë këto raste, sa janë adresuar dhe si do të veprohet për ata që ende nuk kanë marrë fletët e votimit, ndërkohë që e drejta e tyre është e garantuar nga gjykata.
Në përfundim, Partia Demokratike thekson se këto probleme përbëjnë një kërcënim serioz për besueshmërinë e zgjedhjeve dhe kërkon nga KQZ të japë përgjigje të qarta dhe zyrtare brenda 5 ditëve pune, përfshirë edhe dokumentacionin përkatës që lidhet me çdo rast të dyshuar. Sipas saj, dështimi për të adresuar këto çështje mund të cënojë rëndë procesin demokratik dhe të krijojë premisa për kontestim të rezultatit.
‘137 qytetarë, në listat e zgjedhësve brenda vendit dhe atyre në diasporë’, PD kërkesë KQZ: Mund të votojnë dy herë
