Peshkatarët në Pogradec i kanë drejtuar një peticion Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar urdhrin e ministres Anila Denaj që ndalon peshkimin në Liqenin e Ohrit nga 20 prilli deri më 20 gusht 2025. Sipas tyre, ndalimi i plotë i aktivitetit cenon rëndë jetesën e familjeve të tyre dhe nuk merr parasysh veçantinë e peshkimit të peshkut koran, i cili është i lejuar për t’u gjuajtur gjatë kësaj periudhe.
Peshkatarët u takuan me kryetarin e bashkisë Ilir Xhakolli, me të cilin u dakordësuan për t’ia përcjellë zyrtarisht peticionin Ministrisë së Bujqësisë.
Në urdhrin e publikuar nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit, specifikohet se çdo peshkatar që kapet në liqen gjatë afatit të ndalimit do të ndiqet penalisht, do të gjobitet dhe do t’i sekuestrohet mjeti i lundrimit.
Peshkatarët kërkojnë që të lejohen të ushtrojnë peshkimin e kontrolluar të koranit deri në një distancë 1500 metra nga bregu, duke argumentuar se kjo nuk dëmton speciet e tjera:
“Ne nuk kemi dëmtuar asnjëherë speciet e tjera kur leshojnë vezët. Edhe nëse bien aksidentalisht në rrjeta, ne i hedhim sërish në liqen. Vendimi i ministrisë është i padrejtë. Nuk mund të bllokohet peshkimi, sepse ne me këtë punë mbajmë familjet.” thanë ata.
Peshkatarët kërkojnë rishikimin urgjent të vendimit dhe një trajtim më të drejtë të specifikave të zonës dhe traditës së peshkimit në Pogradec, duke theksuar se peshkimi i koranit është praktikë e kontrolluar dhe e qëndrueshme për mjedisin.
Ndalimi i gjuetisë së krapit për 4 muaj, peshkatarët e Pogradecit peticion Ministrisë së Bujqësisë
