Myzyri drejt prangave, SPAK i sekuestron celularin njeriut të Belinda Ballukut dhe i njofton nisjen e hetimeve për…

Vartësi i ministres Belinda Balluku, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është paraqitur dje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për herë të tretë brenda pak ditësh. Mësohet se ai është marrë nën hetim nga Prokuroria Speciale. Myzyri po hetohet për shpërdorim detyre dhe për favorizimin e kompanive në tendera. Raportohet se atij i është sekuestruar edhe aparati telefonik në funksion të hetimeve. Një zhvillim i tillë krijon dyshimet se Jonaid Myzyri, me shumë mundësi, do të duhet të përballet me një proces gjyqësor, ku ai do e shoh veten nga titullar institucioni, në një të pandehur të prokurorëve të posaçëm.
Jonaid Myzyri është denoncuar shpesh publikisht për favorizime të kompanive të ndryshme, si edhe ndaj tij janë depozituar të paktën tre kallëzime penale. SPAK është duke hetuar procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në rast të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë. Në kuadër të hetimit, SPAK ka urdhëruar më herët sekuestrimin e një sërë procedurave, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi ka dalë në konkluzionin se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimet me tenderat kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.
Përqendrimi i fondeve publike te disa kompani
Nëpërmjet të dhënave të përpunuara nga “Open Data Albania”, në 40 tenderat më të mëdhenj për periudhën 2020-2023, bie në sy mungesa e garës, e cila ka indicie për korrupsion. Nga 40 tendera, 31 ose 77% e tyre janë me “flamur të kuq”, pasi janë shkualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e mbetur në garë. Vlera e totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë. Pra, në 4 vite 650 milionë euro fonde publike u janë akorduar pa garë një grupi kompanish, të cilat gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publik.
Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një kompani të vetme, që ka dorëzuar ofertën dhe 24 % e procedurave kanë dështuar. Sipas ekspertëVE, fitimi i një kontrate me një vlerë pothuajse sa fondi limit është një flamur i kuq, i cili duhet të ngrejë të gjitha alarmet e mundshme, që kjo procedurë ka diçka që nuk shkon. “Realizueshmëria e procedurave publike në vitin 2023 është diku te 76%, pra gati çereku i procedurave të prokurimit publik dështojnë? E di pse dështojnë? Sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan prandaj dhe vlerësimi im është që ky proces është pjesërisht transparent dhe pjesërisht objektiv”, shpjegojnë ekspertët. Disa prej këtyre tenderave dhe kompanive janë nën hetim nga SPAK së bashku me drejtuesit e institucioneve që kanë miratuar këto kontrata. Shumica e tenderave janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit, i cili në mars 2024 është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas SPAK, Berberi dyshohet për korrupsion pasiv për 3 tendera te Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe për pastrim parash. Një ish drejtor tjetër, që ka organizuar disa tendera, ku janë skualifikuar të gjithë konkurrentët është Ergys Verdho, i cili aktualisht drejton shoqërinë publike Hekurudha Shqiptare dhe është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. SPAK deklaroi se ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” për nëpunësit e përfshirë në procesin e prodhimit, shpërndarjes dhe administrimit të energjisë elektrike prej 10 tetorit 2021, ku vet Verdho ka qenë administrator i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.