Procesi i votimit në diasporë po përballet me probleme serioze në shpërndarjen e zarfeve për votuesit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se në disa raste, zarfet me fletët e votimit nuk janë dorëzuar sipas rregullit, pra personalisht dhe kundrejt një dokumenti identifikimi, siç e kërkon ligji.
Sipas përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Franc Nuri, janë raportuar raste kur pakoja është lënë në kuti postare, poshtë derës apo edhe në duar të personave të tjerë që nuk janë votuesit:
“Zarfet ka raste që janë lënë në kutinë postare, ose poshtë derës, ose ju janë lënë familjarëve apo edhe fqinjëve. Nuk është respektuar detyrimi për t’u identifikuar me dokument dhe dorëzimi personalisht”, tha ai.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pranoi shqetësimet dhe theksoi se po zhvillohen bisedime me kompaninë postare për të adresuar situatën. Ai tha gjithashtu se ende nuk është e qartë nëse këto janë raste të izoluara apo përbëjnë një fenomen të përhapur:
“Shqetësimet tuaja do t’i adresojmë me kompaninë, por duhet të kuptojmë nëse janë raste sporadike, apo fenomen. Janë dorëzuar deri tani 71 mijë zarfe tek zgjedhësit dhe nuk është e qartë sa ka qenë numri i rasteve si këto, jashtë protokollit, që nuk duhet të ndodhin.”
Një problematikë e veçantë vërehet me votuesit shqiptarë në Greqi. Edhe pse ky shtet renditet i dyti për nga numri i emigrantëve të regjistruar për të votuar (67 mijë), numri i votave të ardhura është shumë i ulët – vetëm 336 – duke e renditur Greqinë në vend të katërt.
“Rastet më të shpeshta janë nga Greqia, është mirë që të na sillni të gjitha rastet individuale që të adresohen rast pas rasti tek kompania”, deklaroi Celibashi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, janë dërguar në total 241 mijë zarfe për votuesit në diasporë, por deri më tani janë kthyer më pak se 9 mijë vota. Situata po shihet me shqetësim për ndikimin që mund të ketë në përfaqësimin e saktë të emigrantëve në procesin zgjedhor.
Probleme me dorëzimin e zarfeve për votimin në diasporë, ankesa për shkelje të protokollit
