‘Rama tallet me ata që e votojnë’, Shkullaku për deklaratat e Ramës: Socialistët zgjedhin PS dhe marrin hajdutë

Gazetari Armand Shkullaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar jo si thjesht tallje, por si shenjë të mungesës së llogaridhënies ndaj votuesve socialistë.
I ftuar në një emision televiziv, Shkullaku komentoi deklaratën ku Rama ironizoi burrat dibranë si “çyrykë”, si dhe atë ku iu drejtohej fëmijëve në një takim duke u thënë “kërkoni Rama nudo në Google dhe iu del aty”.
Sipas Shkullakut, sjelljet e Ramës nuk janë rastësi, por vijimësi e një sjelljeje përçmuese që ai ka pasur në disa fushata elektorale. Ai e cilësoi sjelljen e kryeministrit si një tallje me votuesit socialistë, të cilët, sipas tij, votojnë për një parti të majtë dhe marrin në këmbim hajdutë, banditë dhe fytyra të panjohura.
“Nuk është tallje, është mungesë llogaridhënie, duke u thënë: i keni burrat gjysmakë dhe duke u thënë kalamajve ‘ja sa e kam unë’.”
Shkullaku shtoi se socialistët kanë 12 vite që votojnë për PS-në, por rezultatet kanë qenë zhgënjyese:
“Votojnë PS dhe marrin atë që cakton Rama. Vota e tyre për të menaxhuar paratë e shtetit përfundon në duart e hajdutëve.”
Ai kujtoi se ky nuk është një rast i izoluar, por një model që është ndjekur nga Rama edhe në fushatat e 2017 dhe 2021, duke e përshkruar gjithë këtë qasje si një fushatë që gjithmonë nis me fjalinë ‘fajin e ka Saliu’.
“Rama tallet me ata që e votojnë,” përfundoi Shkullaku.