Berisha bën fushatë nga SPAK: Vota e shqiptarëve në 11 maj do ta çojë Ramën tek McGonigal

Në ditën kur ka detyrimin për t’u paraqitur në SPAK për dosjen “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha zgjodhi të bëjë fushatë. Pas daljes nga ky institucion, ai bëri publik një mesazh që i la kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani.
“Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar! Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës. Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli, i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës. Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove. Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal, ndoshta javën e parë.”, tha Berisha.
Berisha kishte edhe një mesazh për të paraburgosurit lidhur me zgjedhjet e 11 majit.

“Se për kë do votojnë, e dinë ata vetë, por ne themi, të votosh për xhelatin tënd, është problem”.
Në datën 23 prill, Gjykata e Posaçme do të marrë vendimin nëse dosja “Partizani” do të kalojë apo jo për gjykim. Tri janë vendimet e mundshme që gjyqtarja Flojera Davidhi mund të marrë: ta kalojë për gjykim dhe Berishës do t’i duhej t’i nënshtrohej gjykimit në themel; ta pushojë dosjen, duke e liruar ish-kryeministrin nga akuza e korrupsionit; dhe e fundit, t’ia kalojë prokurorisë për hetime të mëtejshme. Bashkë me Berishën, i pandehur është marrë edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet edhe për pastrim parash.