Koncerti i Orkestrës Simfonike të Korçës, dirigjenti Petrika Afezolli: Vepra muzikore, që nuk i ka luajtur më parë

Nga Julia Vrapi
Vepra muzikore të autorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë janë pjesë e koncertit, që do të zhvillojë nesër në mbrëmje Orkestra Simfonike e Korçës. Kjo orkestër ngjitet në skenë me një repertor të pasur muzikor, nën drejtimin e mjeshtrit Petrika Afezolli. Orkestra Simfonike e Korçës nesër në mbrëmje në sallën e teatrit “Adon Zako Çajupi” vjen me një koncert premierë, për të cilin dirigjenti i njohur Petrika Afezolli thotë se është privilegj të jetë në drejtimin e saj. “Vepra muzikore të huaja dhe shqiptare që janë vepra repertori, por për Orkestrën Simfonike të Korçës janë vepra të reja, janë premierë për këtë orkestër, sepse nuk i ka pas luajtur ndonjëherë.
Të luash me një Orkestër Simfonike si e Korçës është një privilegj, dhe e dyta kam dhe një lloj ndjesie emotive, sepse duke qenë se kam një lidhe ndërmjet Durrësit dhe Dardhës që është fshat i Korçës është një kënaqësi bashkëpunimi, sepse këta instrumentistë të kësaj orkestre janë miq dhe ish studentë të mi dhe me kënaqësi e pranova ftesën”, thotë dirigjenti Petrika Afezolli. Këto ditë dirigjenti Petrika Afezolli ka vijuar provat me Orkestrën Simfonike të Korçës për koncertin që do të jetë premierë nesër në mbrëmje, por thotë se kushtet e punës janë të mira për artistët. “Mbi të gjitha puna e bërë këtu është shumë interesante. Kushtet e punës janë të mira dhe mbi të gjitha ekziston në frymë bashkëpunimi”, thotë dirigjenti Petrika Afezolli. Orkestra Simfonike e Korçës, e para e këtij lloji në Shqipëri, është krijuar në vitin 1924.
Pikërisht 100 vite më vonë, kjo orkestër në 2024 u ringrit nën drejtimin e mjeshtrit, Ilir Erzeni. Kjo ishte një tjetër ngjarje e rëndësishme në Korçë, ku pas shumë viteve mungesë rikthehet Orkestra Simfonike. Ringritja e orkestrës është një hap i rëndësishëm që i rikthen qytetit të Korçës një pjesë të trashëgimisë së saj kulturore, duke luajtur gjithashtu edhe një rol të rëndësishëm në promovimin e artit dhe kulturës.
Koncerti si pjesë e aktiviteti artistik 
Koncerti i Orkestrës Simfonike të Korçës vjen në vijim dhe të shumë aktiviteteve dhe veprimtarive të tjera artistike dhe kulturore, që zhvillohen në këtë qytet. Programi i koncertit nesër në mbrëmje përmban vepra muzikore nga Çesk Zadeja, Kujtim Laro-Alqi Lepuri (orkestrim), Mozart, Antonin Dvorak, Dmitri Dmitriyevich Shostakovich dhe Jacques Offenbach- Erio Daja (orkestrim). Dirigjenti i njohur Petrika Afezolli është egzekutues i më shumë se 270 koncerteve dhe premierave të plota simfonike dhe të muzikës së dhomës, si dhe ka shumë bashkëpunime me artistë të shquar shqiptarë. Ka shumë bashkëpunime me artistë  të shquar shqiptar.
Petrika Afezolli është diplomuar për dirigjim në vitin 1988 në Akademinë e Arteve në klasën e Prof. Mustafa Krantja. Dallojnë veprat e egzekutuara në pjesën më të madhe të repertorit nga Vivaldi, Hajden, Mozart, Beethoven, Shubert, Mendelson, Grig, Sibelius, Elgar, Çajkovski, Prokofiev, Berlioz, Korsakov, Shoshtakoviç, Britten, Suk si dhe të atyre shqiptar Zadeja, Ibrahimi, Gaqi, Kushta, Laro, Lara, Zoraqi, Peçi, Zacharian, Buharaja, Sina, Tole, etj. Ka bërë mjaft regjistrime në RTSH me orkestrën e këtij institucioni si dhe me Teatrin e Operas dhe Baletit. Më 2013 merr titullin Profesor.