Aktiviteti në nderim të figurës dhe kontributit të aktorit Mirush Kabashi në artin shqiptar mblodhi familjarë, artistë, studiues dhe me gjerë. “Një ditëlindje pa Mirush Kabashin” ishte aktiviteti që u organizua te Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) pranë kryeministrisë. Të pranishmit shijuan ekspozitën fotografike me çastet më të spikatura të karrierës së Mirush Kabashit, u bënë pjesë e promovimit të monografisë “Mirush Kabashi – Sokrati i skenës shqiptare” me autore Driada Dervishi dhe redaktor Ermir Nika, si edhe ndoqën dokumentarin “1 Shpirt – 100 Maska” nga regjisori Eliodor Markja, kushtuar jetës dhe veprës së artistit. COD shprehet se ishte një event mbresëlënës i zhvilluar me rastin e ditëlindjes së aktorit të madh Mirush Kabashi, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, në nderim të figurës dhe kontributit të tij në artin shqiptar. Artisti Mirush Kabashi u largua nga jeta më 5 dhjetor 2023 në moshën 75-vjeçare.
Aktori u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë me të cilën luftonte prej tri vitesh. Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, aktori Mirush Kabashi ka marrë dhjetëra vlerësime. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
“Një ditëlindje pa Mirush Kabashin”, një aktivitet në nderim të figurës dhe kontributit të aktorit të artin shqiptar
