‘Një herë na quajnë zdromsa, pastaj çyrykë’, Lapaj: Rama të ndëshkohet me votë, na tall nga mëngjesi deri në darkë

Adriatik Lapaj ka reaguar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili në një takim me gratë në Dibër u shpreh se “gjysma e burrave janë çyrykë”.
Lapaj u bëri apel qytetarëve që ta ndëshkojnë Ramën me votë, duke e akuzuar se ka ofenduar publikisht burrat shqiptarë, ndërsa gratë në administratë – sipas tij – i detyron të duartrokasin fyerjet ndaj bashkëshortëve të tyre.
Ai theksoi se është vetë Rama që i ka detyruar shumë burra të emigrojnë dhe tani tall qytetarët shqiptarë pa asnjë ndjeshmëri.
“Kjo është një video për të gjithë burrat shqiptarë. Ndiqeni videon e kryeministrit të vendit. Në vitin 2025, kryeministri thotë se gjysma e burrave janë çyrykë dhe ka mbledhur gratë e administratës duke u thënë se burrat tuaj janë çyrykë dhe i detyron t’i duartrokasin. Ky që gjysmat e burrave i ka degdisur në emigrim, tani i tall publikisht. E paskan si parti këta, njëherë na quajnë zdromsa, njëherë na quajnë çyrykë. Ndaj këta duhen ndëshkuar, sepse këta na shohin si statistika dhe na tallin nga mëngjesi deri në darkë. Dhe një pyetje për zotin Rama: Ti te cila pjesë bën pasha?” – deklaroi Adriatik Lapaj.