4.5 milionë euro në 48 orë për kompaninë e lidhur me baxhanakun e Ramës, nuk kanë fund skandalet e AKSH, Karçanaj…

Skandalet në institucionet publike shqiptare duket se nuk kanë fund, sidomos kur bëhet fjalë për abuzime me tendera dhe përfitime të dyshimta milionëshe. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, është sërish në qendër të vëmendjes për dhënien e dy tenderave me vlerë mbi 4 milionë euro në vetëm 48 orë. Kompania “Advanced Business Solution”, e lidhur ngushtë me baxhanakun e kryeministrit Rama, është shpallur fituese në të dyja rastet, duke ndjekur një skemë që ngre seriozisht dyshime për paracaktim dhe klientelizëm.
E quajtur nga kritikët si “kopshti privat i Ramës”, AKSHI po forcon gjithnjë e më shumë imazhin e një agjencie që i shërben interesave personale, në vend të transparencës dhe konkurrencës së lirë. Pas kësaj kompanie që ka përfituar tashmë mbi 53 milionë euro nga fondet publike, fshihen lidhje familjare dhe interesa të errëta, të cilat vijojnë të mbulohen nga heshtja institucionale. Ky është një sinjal alarmi jo vetëm për opozitën, por për gjithë shoqërinë shqiptare, që duhet të kërkojë llogari për çdo qindarkë të taksave të saj. Ndërkohë, rasti i fundit është vetëm një tjetër gur në murin e një sistemi që, më shumë se kurrë, duket se është kapur peng nga klientelizmi dhe korrupsioni.
Detajet
Dy tender me fond mbi 4 milionë euro, të zhvilluara nga AKSHI janë fituar nga kompania private e shërbimeve teknologjike, “Advanced Bussines Solution”, e cila dyshohet se fsheh interesat financiare të Armand Frangut, baxhanakut të Edi Ramës. Deri në fund të vitit 2024, kompania ‘ABS’ kishte përfituar tender publik në vlerë rreth 53 milionë euro, teksa kjo shifër ka vazhduar të shtohet edhe gjatë vitit 2025. Kompania private e shërbimeve teknologjike, “Advanced Bussines Solution-ABS”, e cila dyshohet se fsheh interesat financiare të Armand Frangut, baxhanakut të Edi Ramës, në dy ditët e fundit, ka fituar dy tender me fond mbi 4 milionë euro, të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në të dy procedurat, pjesëmarrësit janë të njëjtë dhe skema për të shpallur fitues kompaninë “ABS” është e njëjtë. Në garë marrin pjesë tre konkurrentë. Njëri nuk paraqet ofertë ekonomike. Konkurrenti tjetër jep një ofertë shumë të lartë, në vlerën thuajse sa fondi limit, dhe në fund, fitues shpallet kompania “ABS”.
Tenderi i parë ka për objekt ndërtimin e një sistemi elektronik për shitjen e biletave për sitet turistike, me fond limit 2.1 milionë euro. Rezultatet e këtij tenderi u shpallën të premten, në 11 Prill 2025. Ndërsa procedura e dytë, e zhvilluar po nga AKSHI, ka për objekt përmirësimi e sistemeve të Menaxhimit të Informacionit për Ndihmën Ekonomike, me fond limit 2.3 milionë euro. Fituesi për këtë procedurë u shpall në fillim të kësaj jave, në 14 Prill. “ABS” është një prej kompanive që merr pjesën më të madhe të tortës, dhjetëra miliona euro të tenderuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Shoqëria është zyrtarisht në pronësi të biznesmenit Gerond Meçe, por që ekzistojnë dyshime të forta publike se pas saj gjendet Armand Frangu, i cili formalisht zotëron shoqërinë tjetër, “B360”. Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në një intervistë për “Çim Peka Live” në fillim të këtij viti, e konsideroi AKSHI-n si kopshti privat i Edi Ramës, duke deklaruar se kompania “ABS” është një presta-nome, pas të cilës fshihen familjarë të kryeministrit, mes të cilëve, edhe baxhanaku Armand Frangu.
Po ashtu, emisioni “Plug” në “Syri Televizion” siguroi më herët një seri të dhënash, të cilat forconin dyshimin se kompania “Advanced Bussines Solution” dhe Armand Frangu janë të lidhura ngushtë. Në një puntatë të janarit 2025, emisioni investigativ konstatoi se “ABS” e Gerond Meçes dhe “B360” e Armand Frangut, në kohë të ndryshme kanë pasur adresa të njëjta dhe të njëjtin staf. Deri në fund të vitit 2024, kompania ‘ABS’ kishte përfituar tender publik në vlerë rreth 53 milionë euro. Kjo shifër ka vazhduar të shtohet edhe gjatë vitit 2025, ku vetëm në dy procedurat e fundit është shpallur fitues në tender me fond mbi 4 milionë euro.