‘Non grata e Berishës nuk ndikon në fushatë’, Tabaku: Shumë mite mbi raportin e PD me SHBA janë thyer

Kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, gjatë një interviste televizive është shprehur se çështja e “non grata”-s ndaj Sali Berishës nuk përbën më pengesë për fushatën zgjedhore. Sipas saj, retorikat e ngritura nga Partia Socialiste mbi këtë çështje janë tejkaluar dhe nuk kanë më ndikim tek qytetarët.
Tabaku theksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë në një fazë tjetër, ndërsa evidentoi se strategu i fushatës së PD është një ish-këshilltar i ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ajo shtoi se qytetarët janë të fokusuar te nevoja për ndryshim dhe nuk i intereson më nëse “non grata” hiqet apo jo.
“Fushata është e përqendruar te qytetarët. Sot PD është në kushte të tjera dhe shumë mite janë thyer, përfshirë edhe ato që lidhen me marrëdhëniet me SHBA. Ndryshimi i qeverisë në SHBA do të sjellë ridimensionim të raportit me Shqipërinë”, tha Tabaku.
Sipas saj, për qytetarët sot kanë rëndësi çështjet konkrete dhe zgjidhjet që ofron opozita:
“Non grata” 3 vite të shkuara mund të pengonte fushatën, ka rënë. Kanë ndodhur gjëra të pabesueshme. Dhe me partnerët evropianë, ka një hapje të PD. Non grata nuk ka rëndësi për qytetarët.
Në fund të këtij procesi jam e sigurt se çdo retorikë politike e ngritur me të padrejtë nga PS ka rënë. Nuk është në rend dite se SHBA po bashkëpunon me PD, për njerëzit është një retorikë që nuk ka rëndësi.