Gazetari Klodian Tomorri ka ngritur alarmin për përfshirjen e grupeve kriminale dhe të drejtuesve të administratës publike në fushatën zgjedhore, duke e cilësuar këtë si një problem shumë serioz që opozita duhet ta denoncojë ndërkombëtarisht.
Në një intervistë televizive, Tomorri tha se bandat kriminale ushtrojnë presion dhe blejnë vota, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve. Ai shtoi se opozita duhet të fillojë denoncime të qarta e publike dhe të informojë çdo kancelari të Bashkimit Europian për situatën në terren.
Po ashtu, gazetari theksoi se një tjetër problem madhor është angazhimi i hapur i drejtuesve të kompanive shtetërore në fushatë. Ai përmendi konkretisht drejtorët e KESH, OSHEE, OST, Albpetrol dhe institucione të tjera nën varësinë e Ministrisë së Energjitikës, duke i akuzuar se po shkelin ligjin duke përdorur asetet publike në funksion të fushatës.
“Përfshirja e bandave në zgjedhje përmes presioneve, blerjes së votës etj., është problem shumë serioz. Unë jam pak skeptik që t’u themi shqiptarëve, që dilni ju masivisht që përveç Ramës të mundim dhe bandat.
Sistemi ynë elektoral është i tillë që me pak hile, ti merr qeverinë. Është shumë e vështirë ta rikuperosh, sepse ashtu është formula që prodhon mandate.
Opozita duhet të fillojë denoncime publike, nëse ka informacione të asaj që po ndodh në terren. Duhet t’i bëjë këto denoncime në çdo kancelari europiane dhe të gjithë duhet të jenë të qartë që ky fenomen po ndodh, sepse kjo është mënyra e vetme që unë shoh për ta vendosur mazhorancën para përgjegjësisë.
Përveç kësaj që është më madhori, kemi dhe probleme të tjera, se këtu përdoret administrata haptazi. Drejtorë të agjencive shtetërore, drejtor të kompanive publike që dalin në fushatë si ushtarë. Ç’punë ka drejtori i KESH, OSHEE, OST apo kompani të tjera publike, Albpetrolit apo tjetër.
Në 2021 Edi Rama u përshëndet kur nuk kishte filluar ende numërimi i votave. Edi Rama nuk mendoj se do ta ketë më kaq të lehtë. Nuk mendoj se doli uji në një fushë pa një lloj përgjegjësie dhe frike.” – deklaroi gazetari Klodian Tomorri.
‘Drejtorët e Belinda Ballukut kanë dalë haptas në fushatë’, Tomorri: Përdorin asetet publike
